PAMJE/ Atentati i dështuar në Lushnje, momenti kur atentatorët zbritën në mes të rrugës dhe qëlluan me breshëri kallashnikovi drejt armikut të Aldo Bares

Detaje të reja kanë dalë lidhur me atentatin e ndodhur një ditë më parë në qendër të Lushnjes, ku persona të maskuar qëlluan me breshëri kallashnikovi në drejtim të Juljan Sulos, i njohur ndryshe edhe me nofkën si “Juli i Pashakos”.
Siç shihet dhe në foton e siguruar nga Newsbomb dy atentatorët kanë dalë nga makina e tyre të cilën e kishin parkuar në kthesën e rrugës “Mistro Mame” dhe kanë hapur zjarr në drejtim të automjetit tip “BMW”, me të cilin 45-vjeçari po udhëtonte.
Të maskuar, me syze dhe kapele, dy autorët sapo kanë parë automjetin e Sulos kanë zbritur nga mjeti i tyre i parkuar dhe kanë filluar në qëllojnë në drejtim të tij. Njëri prej tyre, siç shihet dhe në foto, ka qëlluar me kallashnikov, ndërsa tjetri me pistoletë.
Fatmirësisht atentati nuk u shkoi sipas planin dhe lëvizjet e tyre kanë qenë të ngadalta. Burime për mediat nga grupi hetimor konfirmojnë se automjeti i shënjestrës ka kaluar me shpejtësi dhe dalja e tyre nga mjeti është bërë me vonesë.
E gjithë zgjati për 10 sekonda dhe falë reagimit të menjëhershëm të Sulos, i cili sapo i pa u largua me shpejtësi “skëterrë”, plani i tyre nuk u realizua.
Mësohet se 6 plumba janë gjetur në automjetin e “Julit të Pashakos” i cili njihet edhe si armiku i përbetuar i Aldo Bares, ndërsa plumbi tjetër e kapi atë në këmbë.
Rreth orës 10:40 të ditës së djeshme Sulo sapo kishte lënë banesën e tij në Karbunarë dhe kishte udhëtuar drejt Lushnjes, pa e ditur se do të binte pre e një atentati.
Atentatorët i kishin ngritur pritë në afërsi të Stadiumit të qytetit. Si pasojë e këtij sulmi Sulo mori një plumb në këmbë dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas atentatit autorët u larguan drejt fshatit Lifaj aty ku braktisën mjetin me targa greke dhe i vunë flakën. Në brendësi të të cilit policia gjeti një kallashnikov dhe një pistoletë që dyshohet se u përkiste autorëve të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Vlen të theksohet që në momentin që ndodhi atentati zona ishte e populluar me njerëz. Një skenë kjo e përsëritur në vetëm pak javë në Shqipëri. Kujtojmë se jo më larg se disa javë më parë, më 11 tetor, e cila si për koicidencë ishte po ditë e martë, në rrethrrotullimin e Rinasit iu bë atentat Gilmando Danit dhe Muçi Shlijanit, të cilët fatkeqësisht humbën jetën.
Po atë ditë u përdor e njëjta skemë, atentatorët të parkuar me mjetin e tyre duke pritur “prenë”. Sapo panë që Muçi dhe Dani po afroheshin me “Benzin” e bardhë, zbritën nga mjeti i parkuar dhe qëlluan me breshëri plumbash dhe duke i siguruar që “shënjestra” e tyre ishte ekzekutuar.
Lidhur me atentatin e ditës së djeshme në Lushnje policia ka shoqëruar në Komisariat 20 persona, ndërkohë që vetë Sulo ka “kyçur” gojën dhe nuk ka pranuar që të flasë para grupit hetimor.
“Juli i Pashakos” nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Ai njihet si armiku i Aldo Bares ku edhe më herët ka qenë si objekt i sulmeve.
Pikërisht te kjo e shkuar kriminale e 45-vjeçarit policia është duke hetuar me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje si dhe zbulimin e autorëve por dhe porositësve të këtij atentati.