“Kryengritja” brenda partisë, Gaz Bardhi “nuk duron” dot Fevziun: Bëhu serioz! Mos na numëroni kafet e përditshme

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në studion e Opinion, ka mohuar një kryengritje të mundshme kundër liderit Sali Berisha. Ky sqarim i Bardhit vjen pas një takimi të organizuar ditën e sotme me më të votuarit nga Primaret, i organizuar i fshehtë dhe që ka zgjatur për disa orë në një prej hoteleve të Tiranës.
Pjesë e këtij takimi ka qenë dhe ish-deputeti Ervin Salianji dhe ish-kandidati për deputet Ilir Alimehmeti. Gaz Bardhi tha se kafet me kolegët e miqtë nuk mund të përbëjë një lajm.
“Unë besoj se kemi ardhur për bisedë serioze jo për të komentuar kafet që pinë kolegët çdo ditë. Secili prej nesh kur takohet me koleg, ka dhe biseda të caktuara. Salianji është anëtar i kryesisë ka të gjithë shansin për të diskutuar në kryesi. Alimemeti është drejtues i departamentit të shëndetësisë në PD… Fokusi duhet të jetë te skandalet e qeverisë. Të bësh një lajm se kolegët pinë kafe nuk e di, ne te kafja e PD jemi çdo ditë”, tha Bardhi.
Në media sot u aludua se figurat e Partisë Demokratike po përgatisin një ‘kryengritje’ kundër Sali Berishës me nismë reformimin rrënjësor të partisë, e cila tashmë prej 4 legjislaturash vijon të mbetet në opozitë, ndërsa rezultatet vijojnë të jenë më të dobëta nga viti në vit. Sesa e vërtetë është një lajm i tillë, nuk dihet ndërsa pjesëmarrësit e këtij takimi kanë mohuar të bëhet fjalë për një kryengritje brenda ‘familjes’ demokrate.