“Jam njeri, jo robot”, Zegjine Çaushi justifikon veten pas lapsuseve në Kuvend: Po gërmoni për gabime, e rëndësishme është puna ime
Deputetja e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, e cila shpesh është vënë qendër të vëmendjes për lapsuset gjatë fjalimeve në Kuvend, ka reaguar sërish pas qarkullimit të një video të re virale nga foltorja e parlamentit.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo ka theksuar se meraku i disa personave për ndonjë gabim të vogël gjatë të folurit është i tepruar dhe i pakuptimtë.
Sipas saj, të gjithë njerëzit mund të ngatërrojnë një fjalë apo të bëjnë një ndalesë të shkurtër, por këto nuk kanë asnjë lidhje me thelbin e punës së saj si përfaqësuese e qytetarëve.
“Të merresh me ndonjë shkronjë ose fjalë që ngatërrohet, apo me një ndalesë të vogël gjatë fjalimit, është absurde. Jemi njerëz, jo robotë”, shkruan ajo, duke theksuar se rëndësi ka përmbajtja, puna e përditshme e saj dhe mesazhi që ajo përcjell.
Postimi i plotë i Çaushit:
Mirëmëngjes! Të merresh me ndonjë shkronjë ose fjalë që ngatërrohet, apo me një ndalesë të vogël gjatë fjalimit, është absurde. Jemi njerëz, jo robotë.
E rëndësishme është përmbajtja, puna dhe mesazhi, jo detajet pa vlerë që disa zgjedhin t’i fryjnë, e që nuk kanë aspak rëndësi për qytetarët.
Këto gjëra nuk ndryshojnë asgjë nga përgjegjësia dhe angazhimi im i përditshëm për qytetarët.
Nëse dikush gërmon e gërmon për gabime, patjetër që do të gjejë. Më ngelet t’ju them vetëm: Puna mbarë.