Britanikët bëhen pishman për Brexit, e pranon kryeministri! Një muaj më parë Edi Rama ua tha në sy: Latë Europën, tani jeni në depresion
Britanikët vërtet janë bërë pishman për Brexit. Këtë e pranoi sot kryeministri britanik Keir Starmer ndërsa tha se Britania duhet të përballet me realitetin dhe se marrëveshja Brexit “e dëmtoi në mënyrë sinjifikative ekonominë tonë”.
“Më lejoni të jem i qartë, nuk ka një vizion të besueshëm ekonomik për Britaninë nëse nuk na vendos në pozitat e një ekonomie tregtare të hapur. Kështu që ne të gjithë duhet të përballemi me realitetin se marrëveshja brexit ka dëmtuar rëndë ekonominë tonë, dhe kështu, për ringjalljen e saj, ne duhet të heqim të gjitha pengesat.
Duhet të ecim në një marrëdhënie më të ngushtë me BE dhe duhet të rritemi me të, të pranojmë se kjo do të kërkojë kompromise. Kjo vlen për marrëdhëniet tona tregtare në mbarë botën dhe siç e keni parë tashmë me këtë qeveri, ka marrëveshje që mund të arrihen nëse je i angazhuar për të ndërtuar marrëdhënie.
Këtë kemi bërë me SHBA, këtë kemi bërë me Indinë dhe këtë kemi bërë me BE dhe do të vazhdojmë kështu. Ne do të vazhdojmë të refuzojmë stanjacionin, të përballemi me realitetin dhe të marrim kontrollin e të ardhmes sonë”, tha kryeministri britanik.
Një muaj më parë, në Britani, kryeministri Edi Rama e tha në Londër se britanikët bënë gabimin e tyre fatal me Brexit dhe për këtë, donin një kokë turku që ishin shqiptarët.
“Problemi nuk janë shqiptarët apo emigrantët e tjerë, por dëshira për të gjetur një ‘kokë turku’ për vendimin fatal që kanë marrë për t’u shkëputur nga Bashkimi Evropian”, tha Rama.
Duke folur në Londër në 22 tetor, për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, Rama e cilësoi atë si një proces binar, teknik dhe politik njëkohësisht. Ai u shpreh se në një periudhë të caktuar Bashkimi Evropian u tregua hipokrit, pasi fjalët nuk përputheshin me faktet.
Rama komentoi se “Brexit e ka bërë Britaninë të dëshpëruar” dhe lidhi rritjen e kalimeve të emigrantëve me varka të vogla me daljen e Britanisë nga BE. Ai ironizoi duke thënë: “Disa i quajnë varka të vogla, disa i quajnë varka të Brexit-it”, duke shtuar se “dolët nga Europa për më shumë lumturi, tani jeni të dëshpëruar”, një deklaratë që u konsiderua provokuese nga mediat dhe zyrtarët britanikë.