MARREVESHJA E MESNATES/ Europa mbyll rubinetin e gazit rus përgjithmonë, ashpërsohen sanksionet europiane për Moskën

Evropa ka vendosur të japë një përgjigje të prerë për ekonominë ruse. Në një marrëveshje të arritur deri në mesnatën e mbrëmshme duke u gdhirë 3 dhjetori, ligjvënësit e BE dhe shtetet anëtare arritën një marrëveshje për të ndaluar të gjitha importet e gazit rus deri në vjeshtën e 2027, teksa blloku evropian synon të presë burimet kryesore të financimit që ushqejnë arkën e luftës së Moskës, raportoi AFP.

Evropa kështu po mbyll rubinetin e gazit rus përgjithmonë, pasi u arrit marrëveshja politike për ndalimin e importeve ruse deri në vitin 2027. Parlamenti europian kishte kërkuar qe ndalimi të hynte në fuqi më herët.

“E arritëm, Europa po e mbyll rubinetin e gazit rus, përgjithmonë” shkroi në X komisioneri i energjisë së BE, Dan Jorgensen. “Ne po i dërgojmë një mesazh të qartë Rusisë: Evropa nuk do të lejojë kurrë që furnizimi i saj me energji të përdoret si armë” shkroi ai.

AFP raportoi se sipas marrëveshjes, kontratat afatgjata për gazsjellësit, të konsideruara më të ndjeshmet sepse mund të zgjasin për dekada, do të ndalohen nga 30 shtator 2027, me kusht që nivelet e depozitimit të jenë të mjaftueshme, dhe jo më vonë se 1 nëntori 2027.

Për gazin natyror të lëngshëm (LNG) kontratat afatgjata do të ndalohen nga 1 janari 2027 në përputhje me thirrjen e presidentes së Komisionit Ursula von der Leyen për të ashpërsuar sanksionet ndaj Moskës. Kontratat afatshkurtra do të hiqen më herët: nga 25 prilli 2026 për gazin e lëngshëm dhe nga 17 qershori 2026 për gazin përmes gazsjellësit. Marrëveshja e arritur gjatë natës kërkon që Komisioni të hartojë një plan në muajt e ardhshëm për ti dhënë fund importeve të naftës ruse në Hungari dhe Sllovaki deri në fund të vitit 2027. Afati kohor duhet të marr ende miratimin përfundimtar nga Parlamenti Europian dhe shtetet anëtare.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT