Një rrugë për të gjithë, prindër e fëmijë mes makinave, trafiku i përditshëm! Selita e Vogël në kaos, banorët kërkojnë ministrin dhe deputetët e Njësisë 13 (PAMJET)

Zona e Selitës së Vogël në Tiranë po përballet prej kohësh me një krizë të thellë infrastrukturore, e cila tashmë është kthyer në kërcënim të përditshëm për mijëra qytetarë. Rrethrrotullimi qendror i kësaj njësie, i cili duhet të shërbejë si nyje lidhëse për hyrje-daljet në zonë, është shndërruar në një pikë të përhershme bllokimi.

Trafiku është prezent në çdo orar të ditës në të dhe nyjet lidhëse të Selitës, ndërsa sinjalistika horizontale dhe vertikale mungon pothuajse tërësisht. Ndriçimi është i pamjaftueshëm dhe korsitë shpesh përdoren në mënyrë të çrregullt, duke rritur rrezikun e aksidenteve.

Në qendër të rrethrrotullimit ndodhet një lavazh, i cili prej kohësh kritikohet nga banorët si një burim kaosi, sepse makinat që presin në radhë shpesh zënë gjysmën e korsive, ndërsa parkimet e bëra aty për aty e bëjnë të pamundur qarkullimin normal.

Një rrugë për të gjithë, prindër e

Nje korsi e rrethrrotullimit perdoret si parkim

Shpesh, shoferët detyrohen të devijojnë në mënyrë të rrezikshme për të shmangur automjetet e parkuara apo bllokimin që vjen prej këtij lavazhi, duke krijuar situata të cilat, sipas ekspertëve të sigurisë, nuk do të duhej të ekzistonin në një nyje të tillë të rëndësishme të kryeqytetit.

Rrugët që lidhen me këtë rrethrrotullim, ndonëse janë përgjegjësi direkte e Bashkisë së Tiranës, mbeten ende të papërfunduara. Aty ku duhej të kishte trotuare të plota, rrugë të asfaltuara dhe pikat e dedikuara për këmbësorët, sot gjen segmente të ngushta, pa asnjë mbrojtje dhe me një gjerësi që vështirë se lejon kalimin e dy mjeteve njëkohësisht, ku shpeshherë gjen makina të parkuara nga të dyja anët.

Një rrugë për të gjithë, prindër e

Mjetet e urgjences shpesh bllokohen ne trafik, per shkak te rruges se ngushte dhe parkimit ne njeren ane

Ky është një problem i theksuar sidomos në rrugicat që shërbejnë si lidhje drejt blloqeve të banimit, të cilat në pjesën më të madhe nuk janë më të gjera se 5 metra. Në kushtet e trafikut të rritur, ky ngushtim shndërrohet në pengesë serioze edhe për mjetet e emergjencës.

Ambulancat dhe zjarrfikëset raportohen të mbërrijnë gjithmonë me vonesë në zonë, jo vetëm për shkak të trafikut të rënduar, por edhe për shkak të pamundësisë për të manovruar në rrugë që nuk janë projektuar për fluksin aktual të popullsisë, prej 15’000 banorë.

Një rrugë për të gjithë, prindër e

Edhe zjarrfikeset shpesh bllokohen ne trafik, per shkak te rruges se ngushte

Problematikat nuk kufizohen vetëm tek automjetet dhe trafiku. Edhe transporti publik, i cili duhet të lehtësonte lëvizjen e banorëve, është kthyer më vetë në një hallkë tjetër problematike. Stacionet aktuale nuk kanë asnjë vendpritje të ndërtuar, asnjë stol, asnjë element sigurie për fëmijët, të moshuarit apo personat me aftësi të kufizuar.

Autobusët shpesh ndalojnë në mes të rrugës, pa një kthesë të dedikuar, duke bllokuar për pak minuta qarkullimin dhe duke krijuar situata të rrezikshme për pasagjerët që hipin ose zbresin.

Një rrugë për të gjithë, prindër e

Autobuset urbane nuk kane stacion dhe bllokojne qarkullimin

Mungesa e sinjalistikës është një tjetër plagë e zonës. Vija të bardha të fshira ose të pambaruara, mungesë korsish për këmbësorët, mungesë treguesish orientues dhe mungesë e plotë e menaxhimit të trafikut prej autoriteteve krijojnë një mozaik problematik të cilin banorët e kanë denoncuar vazhdimisht.

Mbrëmjeve, situata përkeqësohet edhe më shumë për shkak të ndriçimit të dobët, duke e bërë qarkullimin pothuajse të pakontrollueshëm.

Një rrugë për të gjithë, prindër e

Prinderit dhe femijet ecin ne rrugen e makinave, pasi zona nuk ka trotuare

Në zonë mungojnë gjithashtu shkollat dhe institucionet e edukimit. Familjet e reja përballen çdo ditë me sfidën e dërgimit të fëmijëve në shkolla të largëta, ndërsa çerdhet dhe kopshtet publike janë inekzistente. Kjo mungesë e shërbimeve bazë rrit fluksin e automjeteve në zonë dhe e rëndon edhe më shumë situatën e trafikut.

Në mesin e gjithë këtij kaosi, banorët i drejtojnë pyetjen përfaqësuesve politikë të zonës: ku janë deputetët e Njësisë 13, Anila Denaj dhe Sofjan Jaupaj? Ata kanë marrë vota pikërisht nga ky komunitet dhe kanë premtuar zgjidhje konkrete gjatë fushatave elektorale.

Një rrugë për të gjithë, prindër e

Korsite e dedikuara mungojne, makina, urbani dhe qytetaret ecin te gjithe ne nje rruge

Sot, banorët thonë se ndihen të braktisur dhe pa asnjë informacion se kur do të ndërhyhet për të zgjidhur problemet që po rrezikojnë sigurinë dhe cilësinë e jetës së tyre.

Selita e Vogël, nga një zonë me potencial zhvillimi, po shndërrohet dita-ditës në shembullin më të qartë të mungesës së koordinimit institucional ndërmjet ARRSH dhe Bashkisë së Tiranës. Banorët ngrenë zërin: situata nuk është më thjesht çështje infrastrukture, por është çështje e drejtpërdrejtë sigurie publike dhe dinjiteti qytetar. Autoritetet, sipas tyre, duhet të ndërhyjnë menjëherë dhe jo vetëm me premtime, por me veprime të dukshme dhe afatgjata.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT