Balluku dhe projekti i OST ku del emri i vajzës së ish-presidentit të Angolës

Në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit flitet për një nga projektet e Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Ministrisë së Infrastrukturës. Bëhet fjalë për ndërtimin e linjës së transmetimit Tiranë-Rrashbull (Unaza energjitike) i financuar nga një hua prej 45 milionë euro dhe i ndarë në dy komponentë (lote) linjën Tiranë-Rrashbull dhe Unazën 110 kV të Tiranës.
Ky projekt është amenduar disa herë, kostot janë rritur rreth 25% më shumë se vlera totale fillestare dhe ka akoma elementë të marrëveshjes që ngrenë pikëpyetje për kamatëvonesat. KLSH e paraqet si një prej projekteve më problematike të drejtorisë nën varësinë e Ballukut.
Amendime, shtyrje, rritje kostosh dhe sërish nuk ka përfunduar
Kontrata për këtë projekt është firmosur me kompaninë portugezese “EFACEC Engenharia e Sistemas, S.A” në 14 nëntor 2018, pra rreth 7 vite më parë. Përmes amendamenteve të njëpasnjëshme, sidomos me amendamentin nr. 3, afatet u shtynë deri në mars 2024 për seksionin 1 dhe gusht 2025 për seksionin 2 ndërsa vlera totale e kontratës u rrit në 23,9 milionë euro.
Kjo rritje prej mbi 4.7 milionë euro është justifikuar me kërkesa për kompensime shtesë, të paraqitura periodikisht që prej vitit 2020. Këto pretendime u shtuan në takimet e vitit 2022, ku kontraktori kërkoi rishikim të çmimit dhe afatit ndërsa OST-ja e kishte lënë kontratën të hapur ndaj rritjeve të mëtejshme të kostos.
Dhe pavarësisht kësaj, situata në terren për nënstacionin Rrashbull mbetet një dështim i dukshmëm. Kolaudimet e punimeve janë kryer nga grupe të ngritura me urdhra të brendshëm të OST-së, por një pjesë e anëtarëve të këtyre grupeve nuk posedonin licencat e detyrueshme, duke shkelur në mënyrë të drejtpërdrejtë ligjin nr. 8402 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”.
Projekti ka vuajtur edhe nga kaosi teknik dhe institucional i krijuar nga ndryshimet e pandërprera të konfigurimit të linjës, duke krijuar një projekt hibrid jashtë parashikimeve të huas dhe studimit fillestar.
Pavarësisht rritjes së vlerës së kontratës, zbatimi praktik ka mbetur pas, duke krijuar një mospërputhje të thellë midis fondeve të shpenzuara dhe volumit real të punimeve.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me kontratën e Lotit 2, e cila është nënshkruar në nëntor 2018 me kompaninë e huaj “Energoinvest Sarajevo, Bosnjë & Hercegovina” dhe ka hyrë në fuqi në maj 2019 si projekt me me “çelësa në dorë”.
Në kontratë përfshihen furnizimi i mallrave dhe pajisjeve, instalimi i tyre dhe punimet e ndërtimit me vlerë 18,4 milionë euro. Edhe kjo kontratë është amenduar duke i ngritur kostot në 19,9 milionë euro.
Edhe vlera e kontratës së konsulentit “Fichtner Bauconsulting GmbH” është rritur me 75%, duke sjellë rritje në vlerën 1,8 milionë euro. Ky është njëkohësisht mbikqyrësi i projektit.
Historia e EFACEC
Nga verifikimet e “Vetting” rezulton se rreth 70% të aksioneve të kompanisë “Efacec Engenharia e Sistemas, S.A” kanë qenë deri në vitin 2020 në pronësi të Isabel Dos Santos.
Deri para disa viteve sipas revistës “Forbes” ajo konsiderohej si gruaja më e pasur në Afrikë. Është e bija e ish presidentit të Angolës, José Eduardo dos Santos, që ka qeverisur Angolan për gati 3 dekada.
Në janar 2020 do publikohej skandali “Luanda Leaks”, një investigim nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë (ICIJ) dhe 36 media partnere, ku evidentohen afera të Isabel Dos Santos, që lidhen me ndikimin nga pushteti i babait. Këto e bënë dos Santos gruan më të pasur të Afrikës dhe e lanë Angolën e pasur me naftë dhe diamantë, ndër vendet më të varfra në botë.
Në qershor 2015, Isabel dos Santos bëhet aksionerja kryesore e kompanisë portugeze Efacec Power Solutions, duke blerë aksionet nga grupet José de Mello dhe Têxtil Manuel Gonçalves për rreth 200 milionë euro.
Blerja u realizua përmes kompanisë offshore Winterfell Industries (e themeluar nga ajo vetë), në partneritet me shoqërinë shtetërore angolase “ENDE”.
Sipas të dhënave zyrtare nga regjistri portugez, dos Santos kishte 71.73 përqind të EFACEC por u tërhoq nga aksionet në janar 2020, menjëherë pas përfshirjes së saj në hetime. Edhe Mário Leite da Silva, bashkëpunëtor i ngushtë i Isabel dos Santos, i cili ishte drejtor i kompanisë dha dorëheqje sapo nisën akuzat pas shpërthimit të skandalit “Luanda Leaks”.
Në të njëjtin muaj të publikimit të aferës, Isabel dos Santos e shiti me urgjencë pjesën e saj në EFACEC, por në Portugali u ndërmorën veprime ligjore.
Prokuroria portugeze urdhëroi ngrirjen e llogarive të saj bankare dhe hapi hetime për burimin e fondeve që çuan blerjen e aksioneve të EFACEC nga dos Santos. Pak muaj më pas, në 2 korrik 2020 qeveria portugeze miratoi me dekret shtetëzimin e 71% të aksioneve të EFACEC që zotëroheshin nga dos Santos.
Në total u ngrinë asete të Dos Santos në Angola dhe Portugali me vlerë mbi 1.5 miliardë dollarësh.
Së fundmi, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian kanë vendosur sanksione personale ndaj Isabel dos Santos dhe familjes së saj për korrupsion, duke e ndaluar atë të hyjë në territorin e tyre dhe duke ngrirë pasuri shtesë.
Pikëpyetje të forta pa përgjigje
“Vetting” ka zbuluar se në projektin e EFACEC në Shqipëri, rezulton se kompania nuk ka patur asnjë punëtor gjatë realizimit të kontratës për periudhën 2019-2021. Ndërsa në vitin 2022 ka patur vetëm një të punësuar dhe në vitin 2023 ka shtuar 3 punëtorë.
Ngelet mister se si e ka realizuar kjo kompani projektin dhjetëra milionë euro me 1 apo 3 punëtorë. Edhe nëse ka marrë nënkontraktor, ky i fundit nuk mund të realizojë më shumë se 50% të punimeve, sipas ligjit të Prokurimit Publik.
Në bilancet financiare, EFACEC deklaron një xhiro vjetore maksimale për 2022 me rreth 60 mijë euro. Ndërkohë nga 2019 e deri në fund të vitit 2023, duke përjashtuar 2022 kemi xhiro vjetore të ardhurash të papërfillshme, krahasuar me tenderin që ka marrë nga OST-ja.
Ngelet mister se si e ka realizuar kjo kompani projektin dhe pse drejtoria nën varësinë e Ballukut e ka zgjatur kontratën me një kompani me problemet e mësipërme. Si i ka marrë dhjetra miliona euro pagesa nga Operatori i Sistemit të Transmetimit nga dega në Shqipëri? Pronësia e kësaj dege është gjithashtu pikëpyetje më vete, pasi nuk rezulton që të ketë asnjë aksioner me shumicën e aksioneve.
Mbi të gjitha, nga verifikimet në terren, rezulton se ky projekt akoma nuk ka përfunduar dhe janë shkelur përsëri afatet. Sipas kontratëa së amenduar duhet të kishte përfunduar në korrik 2025.
Vetting u përpoq të kontaktonte kompaninë portugeze, si edhe Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST) për të marrë informacione për vonesën e punimeve, pagesat, nënkontraktorin, dhe nëse kompania portugeze ishte e lidhur realisht me degën në Shqipëri. Deri në publikimin e këtij artikulli asnjëra nga palët e kontaktuara nuk u përgjigj.
Armand Kullau – Vetting. Titulli është i redaksisë