Ali Ahmeti u siguron mbështetje, veteranët e UÇK-së do të protestojnë në Shkup, pas Prishtinës dhe Tiranës

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka njoftuar se protesta e radhës kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila prej 5 vitesh mban të burgosur çlirimtarët, do të zhvillohet edhe në Shkup më 13 Dhjetor, në Shtetin Skënderbej.
Gazmend Syla, nënkryetari i Shoqatës së Veteranëve të “UÇK”, është shprehur se protesta është dakorduar me organizatat e veteranëve në Maqedoninë e Veriut dhe se kanë marrë mbështetjen e Ali Ahmetit.
Ai tha se procedurat janë ndjekur njësoj si në protestat e mbajtura më parë në Prishtinë, Tiranë dhe në Hagë, por ende nuk kanë marrë lejen nga autoritetet maqedonase për përdorimin e hapësirës publike.
Kryeministri Hristjan Mickoski ka kundërshtuar mbajtjen e protestës, duke e cilësuar si “lëvizje të gabuar të Ali Ahmetit” dhe duke thënë se shpreson që VLEN të mos e mbështesë. Ai tha se protesta po përdoret për mobilizim politik
Ndërkohë, OVL e UÇK-së i ka quajtur deklaratat e Mickoskit “përçarëse”, duke theksuar se Maqedonia e Veriut, si shtet që synon anëtarësimin në BE, duhet të garantojë të drejtën për protestë dhe të mos krijojë pengesa.
Politikani i lartë shqiptar në RMV, Ali Ahmeti e ka njoftuar protestën edhe në llogaritë e tij sociale, duke shkruar se pas Prishtinës dhe Tiranës, tani edhe Shkupi do të buçasë për të vërtetën dhe drejtësinë!
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe mbetet e drejtë, çlirimtare dhe e mbështetur nga bota demokratike. Drejtësia për luftëtarët e lirisë nuk mund të ndërtohet mbi akuza politike, montime dhe dëshmi të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia.
Ashtu siç qëndruam përkrah luftëtarëve të UÇK-së në Prishtinë dhe Tiranë, ashtu do të qëndrojmë edhe në Shkup, krenarë, të vendosur dhe të palëkundur në mbrojtje të së vërtetës sonë, të së vërtetës objektive”, shkruan ai,
Ali Ahmeti thekson se sheshi “Skënderbeu” në Shkup do të jetë zëri i fuqishëm i qytetarëve që kërkojnë drejtësi për çlirimtarët tanë, ndaj i ka ftuar të gjithë shqiptarët që më datë më 13 dhjetor, në orën 13:00, të jenë në Shkup!