“Dale o trap, më këpute gishtat”, tensione te Kryeministria, Policia heq çadrat e kampingut! VIDEO: Lapaj dhe aktivistët përplasen me efektivët

Aktivistët e Partisë “Shqipëria Bëhet” janë përplasur pak momente më parë me efektivët e Policisë së Tiranës, të cilët kanë zbarkuar te Kryeministria për të larguar çadrat e kampingut që ata kishin vendosur në trotuarin e bulevardit.
Siç shihet nga pamjet e drejtpërdrejta, veç karrigeve që kanë vendosur prej mbrëmjes së djeshme, sot aktivistët e kësaj force politike të drejtuar nga Adriatik Lapaj ka vendosur të ngrenë çadra kampingu.
Mirëpo, disa minuta më pas atje ka mbërritur një nga komandantët e Policisë së Tiranës dhe disa efektivë të rendit, e kur situata nisi të tensionohet, aty mbërritën edhe “Shqiponjat”.
Aktivistët dhe efektivët nisin të shtyheshin e të kundërshtonin veprimet e njëri-tjetrit, derisa një nga çadrat e kampingut u mbyll me forcë dhe u fut në makinën e Policisë. Menjëherë pati reagime dhe kundërshtim fizik.
Kryetari Adriatik Lapaj shihet që u sqaron efektivëve situatën dhe të drejtën e aktivistëve për protestë, por kur nisin tensionet, ai përpiqet të qetësojë të dyja palët, duke pranuar të bëjë një hap pas.