Pëllumb Pilinçi dhe Adriatik Lapaj të dy poshtë zyrës së Edi Ramës për ta rrëzuar? E vërteta e fotos që ka “shqetësuar” mbështetësit

Kryetari i partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, që prej mbrëmjes të së hënës ka nisur përpara Kryeministrisë një protestë pa ndërprerje. Ai qëndron aty jo në rolin e kryetarit të një force politike, por si një qytetar i thjeshtë që kërkon mbështetjen e të tjerëve. Lapaj u ka bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen, duke theksuar se vetëm përmes bashkimit mund të arrihet rrëzimi i kryeministrit Edi Rama.
Ndërkohë, në rrjetet sociale ka qarkulluar një foto ku pretendohet se Pëllumb Pilinçi i është përgjigjur kësaj thirrje të Lapajt dhe i është bashkuar atij në protestë.
Në imazh, Pilinçi shfaqet i ulur në një karrige të vendosur përballë zyrës së kryeministrit Edi Rama. Mirëpo, e vërteta është tjetër pasi kjo foto rezulton që të jetë montazh.
Pilinçi i cili prej muajsh ka nisur një fushatë të vetën kundër Ramës dhe madje ka publikuar edhe një “qeveri teknike” të propozuar prej tij, ka reaguar duke mohuar kategorikisht përfshirjen në protestën e Lapajt.
“Per të gjithë ata që mendojnë se unë jam bashkuar me Tik Llapën, dua t’ju sqaroj se fotoja që po qarkullon është montazh. Kam parë shumë prej jush, miq e dashamirës, që po reagojnë kundër këtij “bashkimi” por mos u shqetësoni. Unë i respektoj të gjithë njerëzit që më duan dhe ju dua po aq fort. Faleminderit për mbështetjen dhe për ata që gjithmonë qëndrojnë pranë meje”, shkruan ai.