“Nuk ka punuar për fitoren e PD”, më i votuari i Primareve nxjerr “blof” Berishën: Të kanë keqinformuar “besnikët”, i ke në FB takimet e mia me qytetarët

Hysen Kadiu, një ndër demokratët më të votuar në qarkun e Tiranës nga Primaret e Partisë Demokratike, i është përgjigjur deklaratave të Sali Berishës të bëra sot gjatë mbledhjes së tensionuar të kryesisë në selinë blu. Kujtojmë që Kadiu pavarësisht numrit të lartë të votave të siguruara, nuk u përfshi në listat e kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit.

Berisha në takim gjatë sherrit me Ervin Salianjin, tha se Kadiu nuk ka punuar për fitoren e demokratëve, ndërsa në postimin e bërë në rrjete sociale, ai i është përgjigur duke i thënë: “I them doktor Berishës dhe të gjithë atyre që i rrinë afër dhe e kanë keqinformuar, se aktiviteti im gjatë fushatës është publik në Facebook-un tim. Sikundër, më mirë se kaq, këtë e dëshmojnë qytetarët e Kavajës dhe zonave përreth, që si në fushatë, para dhe pas saj, kemi qenë në kontakte dhe takime të vazhdueshme”.

Kadiu e përmbyll reagimin e tij duke thënë se sot Partia Demokratike nuk ka nevojë për “armiq të brendshëm” dhe as për për përçarje. Ai shkruan se asgjë e keqe nuk do t’i vijë opozitës sot nga riorganizimi dhe kritikat.

“Sot në mbledhje të Kryesisë, kryetari Sali Berisha, ndër të tjera, ka hedhur akuza edhe ndaj meje, se gjatë fushatës së zgjedhjeve të 11 majit kam punuar për Edi Ramën dhe nuk kam dhënë asnjë kontribut për PD.

I them doktor Berishës dhe të gjithë atyre që i rrinë afër dhe e kanë keqinformuar, se aktiviteti im gjatë fushatës është publik në Facebook-un tim. Sikundër, më mirë se kaq, këtë e dëshmojnë qytetarët e Kavajës dhe zonave përreth, që si në fushatë, para dhe pas saj, kemi qenë në kontakte dhe takime të vazhdueshme.

Beteja jonë nuk është me PD-në dhe demokratët, por me Edi Ramën. Çdokush që përpiqet të hedhë baltë mbi kontributin tim personal dhe të gjithë atyre që duan më të mirën për PD-në, janë të interesuar vetëm për karrigen e tyre.

Demokratët kanë sot më shumë se kurrë nevojë për bashkim dhe jo për përçarje, për organizim dhe jo për “armiq të brendshëm”. Asgjë e keqe nuk i vjen PD-së nga kritikat dhe riorganizimi. Sikundër uji i ndenjur prej shumë vitesh ka nevojë për rifreskim, dhe këtë e thonë me zë të ulët edhe ata që përpara Sali Berishës heshtin.

Ndërsa ne kemi vendosur ta themi me zë të lartë, përpara se të jetë vonë“,- shkruan Hysen Kadiu në Facebook.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT