Doli KUNDËR ligjit propozuar nga PS, Braçe tregon arsyen: Jam zgjedhur për t’u shërbyer njerëzve! Korrupsioni po pengon procesin e legalizimit

Deputeti i PS-së, Erion Braçe, përmes një video në rrjetet sociale, ka shpjeguar pse doli kundër një pjese të ligjeve të Paketës Fiskale, e cila u votua në seancën e së enjtes që sapo lam pas në Kuvendin e Shqipërisë.
Braçe tha se një ndër ligjet që ai nuk votoi ishte rivlerësimi i pasurive të paluajtshme, teksa tha se doli kundër këtij projektligji, pasi nuk u mor parasysh amendimi i tij për të përfshirë rivlerësimin e shtëpive në proces legalizimi, apo të legalizuara e të paregjistruara.
Sipas tij, korrupsioni është arsyeja pse procesi i legalizimit nuk ka mbaruar, edhe pse ka nisur prej 25 vitesh.
“Kam heshtur dhe kam qepur gojën dhe doja të isha i qartë për qëndrimin tim në raport me Paketën Fiskale dhe transparencën me secilin prej jush. Unë nuk votova një pjesë të ligjeve. I pari ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme dhe ka një arsye: Nuk u mor parasysh amendimi im për të përfshirë rivlerësimin e shtëpive në proces legalizimi, apo të legalizuara e të paregjistruara. Një proces që nisur prej 25 vitesh dhe që nuk mbaron kurrë, dhe ka një arsye, është korrupsioni që e pengon.
Ka ndodhur rivlerësimi i pasurisë së paluajtshme nga 2019-2022 dhe ligji fillestar e ka përfshirë, ka qenë propozim i deputetit të asaj periudhe që ka pasur nen të posaçëm nenin 2 rivlerësimin e pasurive të paluajtshme në proces legalizimi dhe regjistrimi, është miratuar dhe bërë ligj. Më pas ka pasur dy zgjatje të afatit me ligje të tjera dhe në të dyja ka qenë përfshirë procesi i rivlerësimit në procs legalizimi pa regjistrim”, tha Braçe.
Më tej, deputeti socialist shton se doli kundër, pasi Dhjetëra pallate në njësinë 5, qindra shtëpi në Selitë janë të përjashtuara tashmë nga procesi i rivlerësimit. Ndërsa thekson se është votuar për t’u shërbyer njerëzve dhe jo të votojë ligje kot.
“Vetëm këtë herë nuk merret parasysh se Kadastra tha se është punë e vështirë se bëjmë dot. Kush nuk bën punën duhet të ikë sepse kjo punë është bërë përpara. Pse votova unë kundër apo pse nuk mora pjesë në votimin e kësaj gjëje pasi votuan kundër amendimin tim. Dhjetëra pallate në njësinë 5, qindra shtëpi në Selitë janë të përjashtuara tashmë nga procesi i rivlerësimit. Unë jam votuar t’ju shërbej njerëzve dhe jo të votoj ligje kot”, deklaroi deputeti i PS-së, teksa më pas i bie edhe tavolinës me dorë.