E njëjta plagë që po u “çan” zemrën! Takohen familjarët e Martinit dhe Erjonit, dy adoleshentëve që u vranë me thikë

Janë takuar së fundmi prindërit e dy të miturve që humbën jetën në rrethana tragjike, pasi u goditën me thikë nga bashkëmoshatarët e tyre, duke ndarë dhimbjen e humbjes së fëmijëve të vrarë, jeta e të cilëve ndërpre u në mes padrejtësisht.
Bëhet fjalë për prindërit e Martin Canit dhe Erjon Bobës, dy ngjarje të ndryshme në kohë, por të ngjashme në mënyrën tragjike se si përfunduan. Martin Cani humbi jetën një vit më parë pasi u godit me thikë në zemër nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj.
Ndërkohë, vetëm një javë më parë, Erjon Boba ndërroi jetë pas 9 ditësh në spital, pavarësisht përkujdesjes së vazhdueshme nga stafi mjekësor. I mituri ishte plagosur rëndë me thikë nga një 14-vjeçar me inincialet M.K. Ngjarja ndodhi në qytetin e Durrësit.
Takimi mes dy familjeve vjen në një moment kur dhuna mes të miturve mbetet një shqetësim serioz për shoqërinë, ndërsa prindërit e dy adoleshentëve, të bashkuar nga e njëjta plagë, përballen me humbjen më të rëndë të jetës së tyre, me humbjen e gjysmës së tyre të shpirtit.
Me dhjetëra herë prindërit e Martin Canit kanë apeluar për drejtësi dhe u kanë bërë thirrje institucioneve që të marrin masa që tragjedi të tilla mos ndodhin. Por, mesa duket thirrjet e tyre kanë shkuar në “vesh të shurdhët”, pasi pavarësisht masave të ndërmarra nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit ngjarje të tilla nëpër shkolla po përsëriten.