Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri janë ARRATISUR, deklarata e fortë e Berishës: Kontrollin paratë e të gjithë shqiptarëve, janë tek çunat e Dubait

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar operacionin e ndërmarrë së fundmi nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lidhur me abuzimet me tenderat e AKSHI-t.

Në një konferencë për shtyp, lideri i të djathtëve i është drejtuar drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanajt duke e quajtur “kryemafioze”.

Ai më tej u ndal dhe Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri ndaj të cilëve në kuadër të këtyre hetimeve Prokuroria e Posaçme ka lëshuar masën e sigurisë “arrest me burg”. Sipas Berishës, Beqiri dhe Agasi janë arratisur nga Shqipëria dhe kanë gjetur strehë në Dubai.

Berisha ka theksuar se motra e Ergys Agasit, e cila mban postin e drejtoreshës juridike në AKSHI, ka luajtur një rol kyç në manipulimin e tenderave, duke i rregulluar ata sipas interesave të familjes.

Një tjetër akuzë e rëndë që ka ngritur Berisha ka të bëjë me përfshirjen e Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit në monitorimin e transaksioneve financiare të shqiptarëve, duke përdorur teknologji të avancuar për të kontrolluar të dhënat e bankave dhe transfertat ndërkombëtare.

“Ergys Agasi, unë që nuk kam asnjë lloj them informacioni të veçantë, përveç atij të qytetarve, ka të paktën tre javë që është arratisur. Ermal Beqiri është në Dubai, bashkë me Ergysin.

Janë tek çunat e Dubait. Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi, motra e Ergysit është drejtoresha juridike e AKSHI-t, këta janë një rrjet i rrezikshëm shumë. Është drejtoresha juridike e AKSHI-t që i rregullonte tenderat siç donte familja, nuk kishte diskutim aty.

Ergys Agasi me Ermal Beqirin kontrollonin me aparaturat e tyre të gjithë transaksionet e shqiptarëve. Pra, kishin të gjithë database-n e bankave të Shqipërisë, e transfertave të Shqipërisë, dhe i kontrollonin të gjitha këto.

Paratë, që plaçkisnin në AKSHI, Ergys Agasi, Armand Frangu, Ermal Beqirin, përdornin si lavatriçe një bashkëpunëtor të Çopjave, një Francin direkt, por atë që ishte ngjitur me të. Kjo është e vërteta”, ka deklaruar Berisha.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT