“Projektet duhet ta bashkojnë një vend jo ta ndajnë!” Dhëndri i Trump “u dorëzohet” serbëve dhe heq dorë nga ndërtimi i hotelit në Beograd

Jared Kushner dhëndri i presidentit Donald Trump, e njëkohësisht menaxher i një firme private, i ka dhënë fund “përpjekjeve” të tij për të ndërtuar një kompleks banimi dhe një hotel në një vend historik në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, pasi një ministër i qeverisë dhe zyrtarë të tjerë u paditën në lidhje me projektin, raporton Wall Street Journal.
“Meqenëse projektet kuptimplote duhet të bashkojnë në vend që të ndajnë, dhe nga respekti për popullin e Serbisë dhe Qytetin e Beogradit, ne po e tërheqim aplikimin tonë dhe po tërhiqemi në këtë kohë”, ka thënë një zëdhënës i firmës private të Kushner.
Më herët po gjatë kësaj dite zyra e prokurorit publik të Serbisë për krimin e organizuar tha se kishte akuzuar ministrin e kulturës Nikola Selakovic dhe tre zyrtarë të tjerë për abuzim me detyrën zyrtare dhe falsifikim të një dokumenti zyrtar për t’i hequr statusin e trashëgimisë kulturore vendit të ish-ministrisë jugosllave të mbrojtjes në Beograd, i cili u dëmtua rëndë gjatë bombardimeve të NATO-s të ish-Jugosllavisë në vitin 1999, për të hapur rrugën për zhvillimin e projektit të planifikuar të Kushnerit.
Bazuar në dokumenta të faksifikuara, qeveria serbe ia hoqi statusin “e mbrojtur” të ashtuquajturit kompleks Generalstab në nëntor 2024, gjashtë muaj pasi ish-ministri i infrastrukturës Goran Vesic nënshkroi një marrëveshje qiraje 99-vjeçare me firmën e investimeve të Kushner, Affinity Global Development, për “rivitalizimin” e vendit, i cili përfshinte një hotel të lartë, hapësira zyrash dhe dyqane.
Toka në fjalë është vendi i bombardimeve 78-ditore të NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999. Sulmi i NATO-s ishte pjesë e një përpjekjeje për t’i dhënë fund spastrimit të dhunshëm etnik të shqiptarëve që jetonin në Kosovë nga Presidenti i atëhershëm Slobodan Millosheviç, i cili rezultoi në vdekjen e 13,000 njerëzve (kryesisht shqiptarë etnikë). NATO bombardoi ura, ndërtesa ushtarake dhe ndërtesa qeveritare.
Sipas “Human Rights Watch”, deri në 528 civilë u vranë në bombardime, dhe shumë serbë i konsiderojnë rrënojat si një pikë krenarie kulturore dhe arkitekturore.