SPAK kërkoi autorizimin e Kuvendit, zbulohet DATA: Deputetët vendosin më 19 Dhjetor për mandatin e Zëvendëskryeministres

Anëtarët e Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet në Kuvendin e Shqipërisë do të mblidhen më datë 19 Dhjetor, për të vendosur për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, për të lejuar ose jo autorizimin e arrestimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Këtë të martë, SPAK i është drejtuar zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë me kërkesën për arrestimin/heqjen e lirisë së Ballukut, duke njoftuar se veç marrjes si e pandehur për Tunelin e Llogarasë, ajo është në hetim edhe për shtatë procedura prokurimi për Unazën e Jashtme të Tiranës.

Këshilli përbëhet nga kryetari, që është njëherësh edhe kryetari i Kuvendit, si dhe 10 anëtarë, pesë nga mazhoranca dhe pesë nga opozita. Ata njihen me kërkesën e SPAK dhe dokumentacionin shoqërues, mbi të cilin argumentohet nevoja për heqjen e imunitetit.

Deputeti në fjalë vihet në dijeni dhe ka të drejtë të mbrohet para Këshillit. Brenda dy javësh, Këshilli për Mandatet përgatit një raport ku rekomandon miratimin ose rrëzimin e kërkesës për caktimin e masës së sigurimit të arrestit, qoftë me burg apo arrest shtëpie.

Sot, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë, me kërkesë për arrestimin/heqjen e lirisë së Belinda Ballukut. Politikania e lartë socialiste është deputete, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe zëvendëskryeministre e Shqipërisë.

Mirëpo, kjo kërkesë e Prokurorisë së Posaçme ka nxitur një reagim të menjëhershëm të kryeministrit Edi Rama, duke paralajmëruar pikëpyetje për mënyrën sesi do të sillen socialistët në Kuvendin e Shqipërisë me kërkesën për arrestim.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT