A do të votojnë socialistët për arrestimin e Belinda Ballukut?! PARALAJMËRIMI që ngre pikëpyetje: Populli na ka dhënë 83 mandate, do mbajmë qëndrim (REAGIMI)

Prokuroria e Posaçme i është drejtuar zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë, me kërkesë për arrestimin/heqjen e lirisë së Belinda Ballukut. Politikania e lartë socialiste është deputete, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe zëvendëskryeministre e Shqipërisë.
Ajo është marrë e pandehur për Tunelin e Llogarasë dhe është nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi për Unazën e Jashtme të Tiranës.
Mirëpo, kjo kërkesë e Prokurorisë së Posaçme ka nxitur një reagim të menjëhershëm të kryeministrit Edi Rama, duke paralajmëruar pikëpyetje për mënyrën sesi do të sillen socialistët në Kuvendin e Shqipërisë me kërkesën për arrestim.
Edi Rama thotë se pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori i SPAK ka kërkuar autorizim për të arrestuar zv.kryeministren – me burg ose në shtëpi, duke theksuar se sipas tij, burgosja pa gjyq në Shqipëri është bërë modë.
“Por sigurisht që në rastin në fjalë, ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi”, shkruan kryeministri në reagimin e tij.
Janë pikërisht këto rreshta që kanë ngritur pikëpyetje, nëse deputetët e partisë që drejton vendin në mandatin e katërt radhazi, si askush tjetër në Shqipërinë demokratike, do të lejojnë apo jo arrestimin e koleges së tyre, deputetes, ministres dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Një rast i tillë ka qenë ai për ish-ministrin Saimir Tahiri, për të cilin socialistët u ballafaquan në Kuvend me Prokurorinë për Krimet e Rënda, derisa në fund politikani i spikatur vendosi të njoftonte se po dorëzonte mandatin që i kishte besuar populli.