Rama: Po shkelet Kushtetuta, të hiqet gjendja e fatkeqësisë natyrore

Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama akuzoi qeverinë se duke e shtyrë me dy muaj gjendjen e fatkeqësisë natyrore në vendi si pasojë e përhapjes së pandemisë së COVID 19, ka shkelur Kushtetutën. Ai citon nenin 174 të Kushtetutës dhe kërkon që ky propozim të tërhiqet.
“Këshilli i Ministrave mund të vendosë për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit, pika 2 e të njëjtit nen thotë që zgjatja e fatkeqësisë natyrore mund të bëhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit, por në kushtet kur pandemia është e kufizuar”,- tha Rama.
Ai thekson se “sipas të dhënave që jep vetë Ministria e Shëndetësisë në këtë moment që po flasim, rezulton të jenë të shtruar në QSUT vetëm 32 qytetarë të infektuar me COVID-19. Dhe vetëm 8 të tjerë të shtur në Sanatorium. Pa evidentuar këtu faktin që gjatë ditëve të fundit ka ditë të tëra që nuk paraqitet pranë këtyre qendrave spitalore të përcaktuara për këtë koronavirus asnjë qytetar për tu shtruar. Neni 174 I Kushtetutës e bën të qartë dhe thotë në mënyrë laksativ shqip dhe qartë që për parandalimin apo mënjanim e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik. Këshilli i Ministrave mund të vendosë për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit, pika 2 e të njëjtit nen thotë që zgjatja e fatkeqësisë natyrore mund të bëhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit, por në kushtet kur pandemia është e kufizuar. Në kushtet kur masat e marra kanë bërë efektin e duhur, në kushtet kur shpallja e fatkeqësisë natyrore bëhet më shumë për të motivuar ndryshimet në buxhet dhe përcaktimin e fondeve ekstra për përballimin e kostove ekonomike dhe financiare, gjë që qeveria e ka bërë, pavarësisht se në mënyrë të pamjaftueshme dhe jo transparente.”
Rama shprehet se “sot nuk ka më asnjë bazë reale, por edhe asnjë bazë kushtetuese dhe ligjore që të zgjatet më tej gjendja e fatkeqësisë natyrore, aq më tepër po të kemi parasysh që ka zona të tëra të vendit, ka bashki të tëra në të cilat nuk ka asnjë rast ta shfaqjes së të infektuarve me coronavirus, gjë që do të thotë se nuk ka asnjë arsye as në kuptimin parandaluese, por as në kuptimin e diagnostikimit, as në kuptimin e administrimit te realitetit që atje të ketë kufizime në kuadër të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore.”
Ai kërkon që “qeveria të tërhiqet menjëherë nga ideja apo propozimi për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në Republikën e Shqipërisë edhe me 2 muaj të tjerë dhe ndërkohë nesër menjëherë pas përfundimit edhe në kuptimin kushtetues dhe ligjor të gjendjes së fatkeqësisë natyrore duhet që qeveria shqiptare të rikthej menjëherë, e përsëris me status të plotë Shqipërinë si anëtare të Këshillit të Europës dhe siç urdhëron neni 5 I Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut do të duhet që qeveria shqiptare të infrormojë me shkrim mënjëherë Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës për përfundimin e gjendjen e fatkeqsisë natyrore e për rikthimin e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve siç buron jo vetëm nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, por dhe nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, e të gjitha të drejtave të cënuara apo të kufizuara për shkak të gjendjes së fatkeqsisë natyrore.”