U afruan me dy makina dhe e qëlluan me armë brenda lokalit, policia zbardh plagosjen e “Gucci-t” të TikTok, shpall në kërkim tre autorët

Policia e Durrësit ka zbardhur plagosjen me armë zjarri të personazhit të njohur në rrjetet sociale, Fabian Kuçi, i njohur ndryshe si “Gucci”. “Blutë” bëjnë me dije se kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim tre autorët, dy nga Durrësi dhe një nga Tirana.

Policia njofton se tre personat e shpallur në kërkim, janë afruar me dy automjete rreth orës 23:45, në lokalin ku po qëndronte personazhi i TikTok, teksa më pas kanë qëlluar me armë zjarri ndaj tij, duke e lënë të plagosur lehtë.

Ndërsa po ashtu, është proceduar penalisht pronari i njërit prej automjeteve, me të cilët autorët u afruan në vendngjarje.

Po ashtu, një njoftim theksohet se po punohet për kapjen e tre personave që plagosën me armë zjarri 33-vjeçarin.

Njoftimi i policisë së Durrësit:

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Në vijim të informacionit të dhënë dje, mbi plagosjen me armë zjarri të shtetasit F. K., sqarojmë se si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, të kryera me qëllim zbardhjen e plotë të autorësisë dhe rrethanave të këtij rasti, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit:

A. N., 38 vjeç, banues në Durrës, F. B., 22 vjeç, banues në Tiranë dhe B. Ç., 34 vjeç, banues në Durrës.

Nga këto veprime dyshohet se këta 3 shtetas, rreth orës 23:45 të datës 15.12.2025, janë afruar me 2 automjete, te lokali në lagjen nr. 9, ku qendronte shtetasi F. K., dhe kanë qëlluar drejt tij, me armë zjarri. Si pasojë, shtetasi F. K. është dëmtuar lehtë.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin L. B., 31 vjeç, pasi nga verifikimet rezultoi se është pronar i njërit prej automjeteve, me të cilat u afruan në vendngjarje, shtetasit e shpallur në kërkim. Nga kontrolli në banesën e 31-vjeçarit, u gjetën disa fishekë luftarak, të cilët u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Punohet intensivisht për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT