25 miliardë për Bashkinë, Kavaja me buxhetin vjetor më të madh në histori, Fisnik Qosja falenderon edhe socialistët: U ngritët mbi partitë (PROJEKTET)

Këshilli Bashkiak i Kavajës ka miratuar dje buxhetin vjetor, i cili është cilësuar si më i madhi ndonjëherë në historinë e bashkisë. Kryetari demokrat Fisnik Qosja ka falenderuar edhe anëtarët socialistë në Këshill, pasi thotë se kanë lënë mënjanë nasitë.
“Sot në Këshillin Bashkiak, u miratua me vendim unanim Buxheti 2026 për Bashkinë Kavajë. Me 25.5 milion Euro, i sotmi është buxheti më i madh ndonjëherë në historinë e Kavajës. 47% më i madh se buxheti i vjetshëm, që po ashtu ishte historik.
Mirënjohje të thellë për të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak, e në veçanti kundërshtarëve tanë politik, të cilët u ngritën në lartësinë e këtij momenti historik, duke nderuar identitetin kavajas, i cili gjithmonë udhëheq bashkimin përtej ndasive politike kur vjen puna për interesat e komunitetit tonë”, shkruan Fisnik Qosja.
Gjatë këti viti, do të nisin disa investime strategjike dhe historike për Kavajën, duke filluar nga Stadiumi “Besa”, tek ndërtimi i Pallatit të Sportit, rikualifikimi dhe modernizimi i Qendres Historike nga Xhamia Kubelie deri tek Muzeu Etnografik, rikualifikimi dhe investimi i Rrugës së Parkut Rekreativ, Amfiteatri i Kavajës, dhe tregu modern i Fruta Perimeve.
Gjithashtu, në buxhetin e këtij viti, Bashkia Kavajë synon pajisjen me makineri dhe mjete logjistike për çdo Njësi Administrative, rikualifikimin dhe asfaltimin e rreth 35 akseve rrugore në të gjithë territorin e Kavajës, si dhe hapjen e fondit për projektin kryesor të “Rrugës së Bregdetit”.
“Tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të përveshim mëngët dhe t’i japim jetë këtij buxheti dhe këtij besimi që na u dha sot nga Këshilli Bashkiak në emër të gjithë qytetarëve të Kavajës! Siç kam premtuar, ditët më të mira janë të gjitha përpara. Faleminderit”, shkruan kryebashkiaku Fisnik Qosja.