LAJMI I FUNDIT/ Apeli i GJKKO-së lë në fuqi vendimin për Ballukun

Në orën 11:00 nisi seanca gjyqësore ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku dhe disa prej vartësve të saj në Apelin e GJKKO-së.

Siç raportohet, togat e zeza kanë marrë vendim për lënien në fuqi të vendimit.

Balluku i është drejtuar më herët Apelit të Posaçëm me kërkesën për shfuqizimin e dy masave të sigurisë të vendosura ndaj saj, konkretisht “pezullimin nga ushtrimi i detyrës” dhe “ndalimin për të udhëtuar jashtë territorit të vendit”.

Në GJKKO, kanë mbërritur dy avokatët e Ballukut, mes të cilave edhe motra e saj, si dhe Gentian Gjyli, Erald Elezi e avokatët e tyre.

Kjo seancë mbahet në një moment delikat institucional, pasi paralelisht SPAK ka paraqitur në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të Ballukut. Kërkesa erdhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka rikthyer përkohësisht zv.kryeministren në detyrë, deri në shqyrtimin e ankimit të kryeministrit Edi Rama për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave mes Gjykatës së Posaçme dhe Këshillit të Ministrave.

Belinda Balluku është marrë e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, në lidhje me procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Ndërkohë, SPAK ka bërë të ditur se hetimet ndaj saj janë zgjeruar, duke përfshirë jo vetëm lotin 4, por 7 lotet e projektit të Unazës së Madhe.

Masën e sigurisë e ka kundërshtuar në Apel edhe drejtori i KESH, Erald Elezi, ndaj të cilit GJKKO ka vendosur arrest në shtëpi.

Gjithashtu, lehtësimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” e ka kërkuar edhe drejtori i ARRSH, Gentian Gjyli. Sipas SPAK, ai dyshohet për veprën penale të “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, ndërsa masa ndaj tij lidhet me procedurën e prokurimit për Tunelin e Llogarasë.

Hetimet për tenderët e rrugëve janë pjesë e një sërë procedimesh të nisura nga SPAK për dyshime mbi shkeljen e ligjit në prokurimet publike. Tuneli i Llogarasë dhe projekti i Unazës së Madhe konsiderohen ndër investimet më të kushtueshme të viteve të fundit në vend.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT