I shërbeu 5 presidentëve shqiptarë për 19 vite, Bajram Begaj e shkarkoi, djali i përkthyesit të madh Robert Shvarc zgjidhet në SPAK

Edvin Shvarc, djali i përkthyesit të madh me origjinë hebreje Robert Shvarc dhe një nga profesionistët e rrallë që Shqipëria ka fatin të ketë, është punësuar së fundmi në Prokurorinë e Posaçme.

Newsbomb.al raporton se ai është shpallur fitues i konkursit për postin e përgjegjësit të Sektorit të Raportimeve pranë Bashkimit Evropian, në SPAK, duke vendosur të japë kontributin e tij në një prej institucioneve kyçe të Shqipërisë viteve të fundit.

Deri në vitin 2022, Edvin Shvarc mbante postin e drejtorit të Informimit publik dhe Marrëdhënieve me Jashtë në Presidencë, por u largua nga detyra sapo atje shkoi Bajram Begaj. Djali i shkrimtarit Robert Shvarc u kishte shërbyer në 19 vite, plot 5 presidentëve shqiptarë.

“Njësia Përgjegjëse e Burimeve Njerëzore e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në përfundim të verifikimit përfundimtar të kandidatëve, për përmbushjen e kushteve të pranimit në shërbimin civil, kërkesave të veçanta të shpallura për konkurrim dhe përfundimit të procesit të ankimit, njofton se, për pozicionin:

1 (një) Përgjegjës i Sektorit të Raportimeve pranë Bashkimit Evropian, në Sektorin e Raportimeve pranë Bashkimit Evropian, Kategoria e ulët drejtuese, Klasa III-1, kandidati fitues është: 1. Edvin Shvarc”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme.

Kur ai u shkarkua nga detyra në institucionin e Presidentit të Republikës tre vite më parë, me një arsye banale (se diploma e marrë në Nju Jork nuk mund të njehsohej në shqip nga Ministria e Arsimit) pati reagime të forta publike, me njerëz të medias, politikës dhe letërsisë që i treguan Bajram Begaj se Edvin Shvarc ishte ndër njerëzit më të përgatitur të Presidencës.

Tashmë, ai do të shërbejë në Prokurorinë e Posaçme dhe nisur nga karriera e aftësitë e larta profesionale, do të jetë nder edhe për prokurorët që do të kenë në institucionin e tyre një zyrtar model si djali i përkthyesit të madh Robert Shvarc.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT