Berisha i bën thirrje qytetarëve për “22 Dhjetorin” dhe ultimatum Ramës nga Kavaja: Mos pengo drejtësinë të hetojë hajdutët, jep dorëheqjen!

Kryedemokrati Sali Berisha mori pjesë sot në ceremoninë që u zhvillua në Kavajë në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të kësaj dege.
Sali Berisha i bëri thirrje qytetarëve të Kavajës që t’i bashkohen protestës së 22 Dhjetorit në Tiranë ndërsa vlerësoi rolin e demokratëve të këtij qyteti në rrëzimin e regjimit komunist, dhe organizimin e lëvizjes antikomuniste, si ndër më të fuqishmet në Shqipëri në të cilën ra për të, për të mbetur i pavdekshëm heroi i parë i demokracisë shqiptare, Josif Buda.
Sakaq, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i bëri thirrje Ramës që të mos pengojë drejtësinë për të hetuar hajdutët e qeverisë.
“Kam zgjedhur Kavajën t’i jap ultimatum mos guxo, të mbrosh me votat e rrëmbyera hajdutët e qeverisë, sepse ne që në vitet 90 u ngritëm me një motiv të shenjtë për të mbrojtur lirinë, përsëri jemi në këmbë, përsëri jemi të gatshëm me motivin ja të vdesim ja të rrojmë për liri.
Ndaj dhe nga Kavaja i bëj thirrje mos pengo drejtësinë largohu nga pushteti. Je sjellë ndaj shqiptarëve si armiku më i egër në tërë historinë e tyre. Asnjë regjim nuk ka përzënë në 10 vite 1 mln e 100 shqiptarë vetëm në Shengen.”-tha Berisha.