Lëvizje taktike në Kuvend? Sekretariati mblidhet para Këshillit të Mandateve, Opozita rrezikon ta mësojë vendimin nga jashtë sallës (Ç’NDODH NESËR)

Kryesia e Kuvendit pritet që ditën e nesërme të kthehet në një arenë debati mes opozitës dhe mazhorancës ndërsa revolta e demokratëve sot në seancë plenare ka tensionuar jo pak situatën.
Kuvendi i Shqipërisë kishte parashikuar një ditë më parë që nesër (e premte) në orën 10:30 të mblidhet Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për t’i hequr mandatin Belinda Ballukut, por përplasjet dhe aktet e dhunës në seancën e sotme plenare kanë trazuar ujërat.
Në një njoftim në faqen zyrtare, Kuvendi ka bërë me dije sot se të premten e 19 Dhjetorit, 1 orë e 30 minuta përpara mbledhjes së Këshillit të Mandateve, të mblidhet Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën për të shqyrtuar kërkesën e një grupi deputetës të Partisë Socialiste, për marrje mase disiplinore pas incidenteve të rënda të ndodhura në nisje dhe gjatë seancës plenare të sotme.
Nëse kjo është një lëvizje për të përjashtuar deputetët e opozitës që ata mos të marrin pjesë në Këshillin e Mandateve, mbetet për tu parë ditën e nesërme.
Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën mund të japë vendimin edhe më vonë, pra pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve, por dyshimet qëndrojnë.
Sekretariati shprehet gjatë mbledhjes se masa e pezullimit të pjesëmarrjes së deputetëve në veprimtarinë parlamentare “fillon nga X deri në X datë”.
Vendimi i Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën që përjashton për një afat të caktuar deputetët që shkelin rregulloren e Kuvendit, iu ndalon ligjvënësve pjesëmarrjen në aktivitetin parlamentar, punimet e komisioneve dhe seancë plenare.
Por rregullorja është paksa e paqartë pasi nuk përcakton që deputetët e përjashtuar s’mund të marrin pjesë në mbledhje këshilli apo sekretariate, por vetëm në seancë plenare dhe komisione.