A ka pamje pengmarrjesh në celularët e sekuestruar nga SPAK për hetimet ndaj AKSHI-t?

SPAK dhe BKH nisën mëngjesin e të martës një aksion që synon goditjen e korrupsionit mbi tenderat e Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, institucionit që administron sistemet, të dhënat dhe kontratat e teknologjisë për një pjesë të madhe të administratës.

GJKKO ka caktuar masa sigurie për drejtuesen e AKSHI, Mirlinda Karçanaj, në masën “arrest në shtëpi”, ndërsa masa “arrest me burg” janë caktuar për dy biznesmenë, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, të cilët raportohet se nuk janë gjetur gjatë kontrolleve dhe mbeten në kërkim.

Dyshimet janë se Ergys Agasi ishte njoftuar më parë për operacionin e urdhëruar nga SPAK dhe është arratisur jashtë vendit.

Kush është Agasi dhe pse ky hetim ka peshë politike

Ergys Agasi është djali i ish-deputetit socialist Bardhyl Agasi, ky i fundit ish-Sekretari i PS në kohën kur kjo forcë politike drejtohej nga Fatos Nano. Pavarësisht se i ati ishte socialist, në skenën politike Ergys Agasi u fut nga LSI e drejtuar nga Ilir Meta.

Ai mori postin e kreut të Inspektoratit të Mjedisit, në kohën kur Ministër i Mjedisit ishte Lefter Koka, atëherë një nga njerëzit më të besuar të Ilir Metës, i dënuar për aferën e inceneratorëve.

Gjatë kohës që ishte në krye të Inspektoriatit të Mjedisit, Agasi duket se ka krijuar lidhje të forta miqësie me Alqi Bllakon, pasi me babanë e ish-deputetit socialist ka edhe një kompani, “EA LOGISTOCS”, me objekt transportin kombëtar dhe ndërkombëtar të mallrave.

Agasi dha dorëheqjen nga posti në shtator të vitit 2017, kur koalicioni mes PS-së dhe LSI-së ishte prishur. Por, e ardhmja e tij nuk do të ishte më pranë Metës, pasi ai do të rikthehej në Partinë Socialiste.

Agasi doli disi në sipërfaqe për shkak të akuzës së bërë nga ish-zvkryeministri Arben Ahmetaj pak kohë më parë.

Ky i fundit, në një drekë mes miqsh, e cilësonte Ergys Agasin si ndërmjetësin e kryeministrit Rama me mafian dhe trafikantët e drogës. Një akuzë shumë e rëndë, teksa edhe vetë Rama iu shmang pyetjes së gazetarit italian, duke thënë që s’mund të flasë për persona që nuk ishin të pranishëm.

Deklarata e Ahmetaj nuk është e para akuzë që i bëhet Ergys Agasit, pasi më herët janë hedhur akuza të forta në drejtim të tij. Sipas tyre, Ergys Agasi është njeriu që drejton bandat e Durrësit, Shkozetit, Shijakut, por edhe të zonave përreth, kontrollon portin, doganat, cigaret, dhe de facto sipas akuzuesve të tij është “inspektori i përgjithshëm dhe më shumë se kaq”.

“Ka në fakt një koordinim mes organizatave mafioze. Ata nuk vriten me njëri–tjetrin. Kjo sepse Edi Rama iu ka kërkuar të mos i hapin telashe. A është Rama i lidhur me këto grupe kriminale? Nuk është vetëm i lidhur, por po të jap emrin e koordinatorit, Ergys Agasi. Është një tip që jeton në Durrës, pranë klanit të Durrësit. Tani është bërë për llogari të Ramës, koordinator i të gjithë grupeve”, deklaroi Ahmetaj në bisedën e shfaqur në “Report” për RAI 3.

Por edhe pa denoncimin e Ahmetajt, në Tiranë dihet gjerësisht se Agasi është shumë i afërt me kryeministrin. Ai ka kontrollin real mbi Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) përmes lidhjeve të tij politike dhe familjare. Motra e tij është drejtoreshë në AKSHI, ndërsa kompania e tij, EA Solutions, ka pasur një rritje të pashpjegueshme financiare brenda një viti nga krijimi i saj dhe çuditërisht në fushën e shërbimeve të IT.

EA Solutions është themeluar në mars të vitit 2023 dhe ka deklaruar fitime prej 2.2 milionë euro në vetëm një vit. Kjo shifër bëhet edhe më e dyshimtë kur merret parasysh fakti se shpenzimet e saj totale vjetore janë vetëm 100 mijë euro.

Për ta thënë thjesht: kompania shpenzon rreth 8 mijë euro në muaj, por fitimet i ka 23 herë më të larta se shpenzimet. Në një treg të ndershëm, një rritje kaq e shpejtë dhe e pashpjeguar do të ishte objekt hetimi për evazion fiskal apo pastrim parash.

Kurse Ermal Beqiri (Beqiraj) është një tjetër personazh me të kaluar interesante për publikun.

Gjatë kontrolleve të BKH-së në banesën e biznesmenit Ermal Beqiraj burimet bëjnë me dije se nuk është gjetur asnjë prej pjestarëve të familjes, çka shton dyshimet se ai mund të jetë larguar jashtë vendit, përpara lëshimit të masës së sigurisë ndaj tij.

Emri i Beqirit u bë i njohur për publikun për herë të parë në vitin 2021, kur ai u thirr si ekspert në procesin gjyqësor për korrupsion ndaj Ilir Metës. Beqiri kreu ekspertizën teknike mbi videon e njohur si “Meta–Prifti”, ku ish-zv.kryeministri dhe Dritan Prifti diskutonin për ndarje fondesh në shumën 700 mijë euro.

Ai e nxori videon “të manipuluar”. Prej asaj kohe bizneset e tij kanë lulëzuar.

Së fundmi nga hetimet del se kompania Soft Solutions, në pronësi të Ermal Beqirajt ka faturuar rreth 80% të tenderave të AKSHI-t. Kjo është kompania që thuajse çdo vit merr llokmën më të madhe nga të gjitha kompanitë e tjera që tenderon ky institucion.

Masat e tjera

Masa janë marrë edhe për zyrtarë të tjerë, përfshirë pezullim nga detyra për Erjon Ismailin, zëvendësdrejtor i Policisë së Tiranës, ndërsa hetuesit kanë marrë në pyetje dhjetëra punonjës të AKSHI, kryesisht anëtarë të komisioneve të vlerësimit dhe të shqyrtimit të ankesave, në kuadër të një hetimi që, sipas këtyre burimeve, ka nisur rreth një vit më parë dhe lidhet me procedura prokurimi.

Deri më tani mësohet se SPAK ka zbuluar një skemë presioni me elementë “rrëmbimi, dhune dhe shantazhi”, ku pretendohet se biznesmeni Gerond Meçe është rrëmbyer dhe më pas është tërhequr nga gara apo interesimi për tenderë të lidhur me AKSHI, ndërsa në këtë episod përmenden Agasi, Beqiraj dhe persona nga Policia e Shtetit.

Burime të gazetës DITA thanë se në celularët e sekuestruar janë gjetur edhe video direkte të pamjeve të rrëmbimit dhe pengmarrjes por këto zëra nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT