“Fatos Nano nuk ishte kjo kategori”, Rama për Berishën: Ktheu në metodë degjenerimin e kundërshtarit

Të rikthyer 35 vite pas, në një intervistë me Blendi Fevziun, kryeministri Edi Rama flet për pasojat që ka lënë sot e kësaj dite periudha e komunizmit.
Dëmi më i madh sot është morpranimi i një opinioni ndryshe i personi përballë, një mendësi e rrënjosur kjo në të shkuarën, kur dikush mendonte ndryshe nga ti, përveçse degjenerohej publikisht, arrihej deri në zhdukje e asgjëzim.
Në këtë prizëm, Rama flet dhe për Sali Berishën, të cilit pa i përmendur emrin, i referohet si personi që ktheu në metodë “teknikat e degjenerimit” dhe “luftën me çdo lloj kundërshtari”.
“Kjo është e thellë, por lidhet me fatkeqësinë e madhe që një komunist ultrafanatik u kthye në një konservator ultrafanatik dhe gjuhën e urrejtjes, teknikat e degjenerimit të tjetrit, luftën me çdo lloj kundërshtie brenda vathës së vet dhe me çdo lloj kundërshtari e ktheu në metodë. Mund të thuash çfarë të duash për të tjerë se Fatos Nano vinte nga e njëjta parti, por Nanon nuk mund ta fusësh kurrë në këtë kategori që ishte sistematik se pati edhe ai momentin e vet kur e ktheu degjenerimin publik të tjetrit në metodë për pushtetin brenda partisë, por nuk mund të thuash për të tjerë, që kanë pasur mundësinë të ushtrojnë pushtet, nuk e kanë pasur kurrë.
I vetmi njeri konseguent që e ka mishëruar këtë rrezatimin negativ që thashë të Çernobilit komunist ka qenë ai që tani s’po ja them emrin për respekt të vetes. Linçimet në parti kanë nisur dhe kanë vazhduar në mënyrë konseguente me ato metoda të degjenerimit të kundërshtarit. Gjithë ajo dhunë që e karakterizonte atë regjim në mentalitet dhe e rrënjosur në të gjitha nivelet që kush të shfaqet ty përballë dhe nuk është si ti duhet degjeneruar u transpozua në këtë fazë nga ai atje”, tha Rama.