Hera e gjashtë dhe e fundit! SPAK “luan me zjarrin”, gati të “djegë” mundësinë e fundit për burgosjen e Ahmetajt

SPAK ka shtyrë sërish afatet hetimore për ish-zëvëndëskryeministrin Arben Ahmetaj. Kjo shënon herën e gjashtë që SPAK komunikon shtyrjen e afateve hetimore. Dhe po ashtu herën e fundit që mund të shtyjë hetimet, dhe pas kësaj duhet të vendosë nëse do të kalojë ose jo për gjykim çështjen.
Veprimet komplekse që po kryen prokuroria e posaçme, kanë sjellë nevojën që hetimet të shtyhen deri më 22 mars 2026, e cila do të jetë “data vendimtare” e fatit të ish-zv/ministrit.
Mbrojtësi ligjor Henrik Ligori tha se interesi i tij dhe i klientit që mbron është që të kryhen hetime shteruese dhe që organi i akuzës të marrë të gjithë kohën e nevojshme.
Kujtojmë se Ahmetaj po hetohet në lidhje me dosjen e inceneratorëve, për veprat penale korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Arben Ahmetaj u shpall në kërkim më 10 korrik 2023, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurie”.
Ish-zv.kryeministri aktualisht qëndron në Zvicër ku dhe ka kërkuar azil politik. Që prej arratisjes së tij, kur u shpall dhe në kërkim, autoritetet shqiptare kanë kërkuar ekstradimin e ish zëvendëskryeministrit, por mbeten ende të paqarta se në çfarë pike janë procedurat. Përveç hetimeve për inceneratorin e Elbasanit, Ahmetaj akuzohet gjithashtu dhe për veprën penale ‘shpërdorim detyre’ në vlerë dëmi rreth 7 miliard lekë të vjetra lidhur me privatizimin e frabrikës ‘Buka’.