Proda nën lupën e SPAK? Dumani flet për sekuestrimin e telefonit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë: Hetimet nuk përjashtojnë askënd

A është sekuestruar telefoni i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, nga Prokuroria e Posaçme Kjo pyetje ka dominuar debatin publik dhe raportimet mediatike ditët e fundit, pas disa lajmeve që tregojnë për veprime hetimore ndaj një prej figurave më të larta të Policisë së Shtetit.

Për këtë çështje të nxehtë ka folur ish-kreu i SPAK, Altin Dumani, në një intervistë ekskluzive për revistën Newsbomb.al, përballë gazetares dhe botueses, Anila Basha. Edhe pse nuk ka konfirmuar apo mohuar ekzistencën e një veprimi konkret hetimor në rastin e drejtorit të Policisë së Shtetit, Dumani ka theksuar qartë parimet ligjore mbi të cilat funksionon Prokuroria e Posaçme.

Sipas tij, SPAK nuk bën publike informacione që lidhen me hetime në zhvillim, pavarësisht natyrës së tyre apo personave të përfshirë.

“SPAK nuk jep informacione mbi veprime hetimore që janë në zhvillim, të çfarëdo lloj natyre qofshin ato. Ky është detyrim ligjor, jo zgjedhje. Në çdo rast, veprimet ndërmerren ndaj cilitdo qoftë, një zyrtari të lartë, funksionari publik apo qytetari të thjeshtë, kryhen duke u mbështetur në ligj dhe vetëm mbi bazën e provave”, shprehet Dumani në një nga përgjigjet e intervistës, që mund ta gjeni të plotë në faqet e revistës së Newsbomb.al.

Deklarata e ish-kreut të SPAK lë të hapur interpretimin lidhur me rastin konkret të përfolur në media, por njëkohësisht riafirmon se Prokuroria e Posaçme vepron pa përjashtime dhe pa ndikime politike apo institucionale, duke respektuar standardet ligjore dhe proceduriale.

Ndërkohë, mosdhënia e një përgjigjeje të drejtpërdrejtë mbi sekuestrimin e mundshëm të telefonit të Ilir Prodës sikurse është shkruar nëpër media, vjen në përputhje me parimet e hetimeve penale.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT