“Makinat e policisë nuk do përdoren më për punë personale!” Kamera në “çdo cep të vendit”, Rama: Efektivët do t’i gjurmojnë personat e padëshiruar pranë shkollave

Qeveria shqiptare ka firmosur sot me partner nga Arabia Saudite një marrëveshje lidhur me një sistem të ri inteligjent të sigurisë në vend. Ky sistem parashikon implementimin e kamerave inteligjence në cdo cep të vendit, gjithashtu dhe në institucione si shkollat, ku informimi për çdo shkelje do të bëhet në kohë reale.
Rama u shpreh se ky sistem i ri inteligjent do të rrisë sigurinë dhe cilësinë në shkolla, ai merr si shembull Emiratet ku thotë se pas hyrjes së këtij sistemi në shkollat e tyre kanë rënë mungesat dhe kopjet. Më tej ai ka shtuar se siguria do të rritet në rastin kur persona të dyshuar i afrohen shkollës.
“Siguria në shkolla ndryshon. Shembulli i miqve nga Emiratet. Ky sistem ka hyrë në shkolla dhe jo vetëm që kanë rënë në mënyrë drastike mungesat në shkollë, por kanë rënë në mënyrë drastike edhe kopjet në shkollë. Sepse i gjithë sistemi është një sistem që funksionon për mësuesin, funksionon për prindin, funksionon për shkollën dhe, padyshim, për Ministrinë e Arsimit. Ashtu sikundër, në sekondën kur një person i dyshuar i afrohet derës së shkollës apo kur persona të padëshiruar vijnë vërdallë shkollës për të tregtuar lëndë narkotike, punonjësit e policisë e shohin këtë në kohë reale” u shpreh Rama.
Më tej ai është ndalur edhe në aspekte të tjera që do të preken dhe përmirësohen nga ky sistem i ri, ku ndër të tejra ka thënë se makinat e policisë së shtetit nuk mund të përdoren më si private nga efektivët dhe se sabotimi i këtij projekti do të jetë i pamundur.
Edi Rama: “Elementët e kriminalitetit të rrugës e kanë të pamundur të shkojnë ku të duan dhe të bëjnë çfarë të duan. Natyrisht që kjo është një sfidë menaxhimi. Natyrisht që unë e kam kuptuar shumë mirë edhe mesazhin e një pjese të atyre që duhet ta kishin çuar përpara këtë projekt. Është e pamundur që një makinë policie të përdoret për punë personale. Si të gjitha makinat e policisë, do të jenë para syve të drejtuesve. Është e pamundur që makina e policisë të shkojë të ndalojë përpara restorantit dhe punonjësit e policisë të hyjnë dhe të hanë drekë në restorant, në uniformë. Dhe përsëri po flas për gjëra shumë të thjeshta.
Dhe unë e kuptoj shumë mirë ata që bëjnë çmos ta shtyjnë dhe ta sabotojnë këtë projekt, sepse dinë shumë më tepër se unë se sa hile dhe sa poshtërsi mund të bëhen duke njollosur uniformën e Policisë së Shtetit. Sepse syri për të cilin fola ka një rrjet mbulimi që, në 20 bashkitë me problematikat dhe lëvizjet më domethënëse, futet kudo. Futet kudo. Ky është sistemi i monitorimit që sjell kulmin e teknologjisë sot, me inteligjencën artificiale”