Qëndruan 12 orë në Shqipëri, kë përgjuan?! Prokuroria dërgon për ekspertim pajisjet përgjuese që u zbuluan në Durrës, dy italianët ishin oficerë të GdF

Prokurori Sokol Nishani ka vendosur që pajisjet përgjuese që u zbuluan në Portin e Durrësit ditë më parë, të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për t’u ekspertuar nëse janë përdorur në Shqipëri dhe nëse po, kush është përgjuar me to.
Në kushtet kur në Durrës nuk mund të bëhet verifikim i plotë i këtyre pajisjeve, Prokuroria e qytetit bregdetar i ka dërguar ato në Tiranë, në Institutin e Policisë Shkencore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Ato (pajisjet) kanë hyrë në rrugë detare nga Porti i Durrësit, në një makinë në të cilën ndodheshin tre shtetas italianë. Ato kanë qëndruar për 12 orë në territorin shqiptar, dhe më pas është tentuar të dalin përsëri nga Durrësi, me drejtim për në Bari.
Mirëpo, nga verifikimi dhe kontrolli i imtësishëm, në mjetin e tre italianëve janë zbuluar pajisjet përgjuese.
Dy prej tyre, kanë rezultuar oficerë të Guardia di Finanzas dhe personi tjetër, po shtetas italian, dyshohet se ka shoqëruar oficerët si person i specializuar për përdorimin e pajisjeve. Kjo shton edhe më tepër dyshimet, se mund të ketë patur një përdorim të tyre.
Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për veprën penale “Përgjim i paligjshëm”, pasi nga verifikimi me autoritetet italiane, ka rezultuar se nuk ka pasur as leje dhe as dijeni për përdorimin e këtyre pajisjeve në territorin shqiptar, për ndonjë përgjim të ligjshëm.
Të tre italianët janë lejuar të largohen nga Shqipëria pas marrjes në pyetje në Durrës, ndërkohë që pajisjet janë mbajtur për ekspertim, pasi ka dyshime se me to janë përgjuar eksponentë të caktuar, të cilët mund të jenë nën hetim nga Guardia di Finanza.
Ka raportime jozyrtare se pajisjet e sekuestruara, të cilat tashmë janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, përdoren për kryerjen e përgjimeve ambientale dhe telefonike.
Ekdpertiza profesionale nga oficerët e Policisë Shqiptare pritet të hedhë dritë mbi këtë episod dhe qëllimin e sjelljes së pajisjeve përgjuese në vendin tonë; nëse ato janë përdorur gjatë 12 orëve dhe kush mund të jenë personat që janë përgjuar.