Shpallet në kërkim kushëriri i Ergys Agasit, Eno Agasi ka “lëvizur gurët” për të penguar të vërtetën

Prokuroria e Tiranës ka shpallur në kërkim Eno Agazin, kushëririn e Ergys Agasin. Burime për mediat bëjnë me dije se drejtësia shqiptare po kërkon djalin e xhaxhait të Agasit i cili akuzohet për “veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”, “kontrabandë e mallrave që paguajnë akcizë dhe “magazinim i mallrave që paguajnë akcizë”.

Eno Agasi rezulton të jetë kushëriri i Ergys Agasit, ku ndaj këtij të fundit Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar firmosi masën e sigurisë “arrest me burg” në kuadër të hetimeve për abuzimin me tenderat e AKSHI-t.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lëshoi disa masa sigurie në kuadër të operacionit lidhur me abuzimin me tenderat e AKSHI-t. Mes emrave për të cilët prokurori Bledar Maksuti firmosi masa sigurie qëndronte dhe ai i Ergys Agasit, biznesmenit kontrovers, i cili ka lundruar mes ujërave të trazuara të politikës, biznesit dhe i akuzuar disa herë nga opozita si i lidhur me elementë të botës së krimit.

Mëngjesin e 16 dhjetorit oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit shkuan në banesën e deklaruar nga Agasi për të ekzekutuar masën e sigurisë, mirëpo ky i fundit thuhet se nuk ndodhej në shtëpi.

Në banesën e tij ashtu sikurse u bë me dije më vonë u gjetën dhe sekuestruan dhjetëra shishe verë pa pullë fiskale me vlerë rreth 3 milionë euro.

Agasi dyshohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”,

Ergys Agasi është një nga figurat që prej kohësh ka gjetur “strehë” në politikë, veçanërisht te Partia Socialiste, duke mbajtur pozita të rëndësishme.

Një prej pozitat më të rëndësishme që Agasi ka mbajtur është ajo si kreu i Inspektoriatit të Mjedisit, një detyrë që i dha mundësinë të jetë afër qeverisë dhe të ndikojë në shumë aspekte të administratës publike. Sukseset e tij në karrierën politike janë gjithashtu të lidhura ngushtë me faktin se ai është djali i Bardhyl Agasit, një ish-deputeti socialist, gjë që i hapi shumë dyer në kupolën e Partisë Socialiste veçanërisht në Durrës.

Përveç angazhimeve të tij me Partinë Socialiste, Agasi ka pasur një periudhë bashkëpunimi me LSI-në e Ilir Metës, por në vitet e fundit ai ka bërë një kalim të plotë në “shtëpinë” e socialistëve. Kjo ka sjellë edhe përfshirjen e tij në disa çështje të debatueshme, ku lidhjet e tij me pushtetin kanë ngritur dyshime për ndikime të paligjshme dhe përfshirje në skandale.

Emri i tij u lakua gjerësisht në qershor të një viti më parë nga vetë ish-numri dy i qeverisë Rama, Arben Ahmetaj. Në një dokumentar për Shqipërinë, “Rai 3” postoi dhe një bisedë me Ahmetajn, ku përpos akuzave për “ish-miqtë e tij”, ai përmendi dhe Agasin të cilin e cilësoi si njeriun që mbante lidhjet me “bosët e mafias”.

Rai 3 thoshte se Ergys Agasi, një biznesmen nga Durrësi, djali i një ish-deputeti socialist, përveç të tjerash pronar i një kompanie që prodhon cigare dhe që merret me logjistikë. Nuk ka qenë kurrë i dënuar apo i hetuar për lidhje me mafian shqiptare, por shpesh mediat kanë folur për lidhje të tij me anëtarë të grupeve kriminale si për shembull narkotrafikantin Xhevdet Troplini.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT