Pasojat e Izolimit / Qindra thirrje për ndihmë mbërrijnë edhe tek psikologët, ja problematikat!

Qëndrimi në kushtet e izolimit dhe distancimit social për më shumë se një muaj për shkak të gjendjes së shkaktuar nga pandemia e Covid-19, po ndikon në rritjen e ngarkesës emocionale, përjetimin e ankthit, çrregullimeve të gjumit, si dhe nivelit të stresit në përballimin e përditshmërisë për shumicën prej nesh.
Këto janë shqetësimet më të shpeshta për të cilat shqiptarët kanë kërkuar ndihmën e psikologut gjatë periudhës së deritanishme të karantinës. Shërbim ky që po ofrohet online falas në të gjithë vendin, nëpërmjet nismës së ndërmarrë nga Urdhri i Psikologut.
Në vijim, presidentja e këtij Urdhri, Dr. Valbona Treska, tregon për “DITA” se si po ndikon karantina në gjendjen emocionale të shqiptarëve, grupet që po e përjetojnë më me vështirësi, dhe ku mund të adresohemi për ndihmë të mëtejshme në përballimin e kësaj gjendjeje të vështirë.
Pak ditë pas vendosjes së karantinës edhe në vendin tonë për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19, Urdhri i Psikologut ndërmori nismën e ofrimit të ndihmës psikologjike online për të gjithë personat që hasin vështirësi emocionale sa i takon përballimit të kësaj situate. Kur po bëhet muaji nga nisja e këtij shërbimi, çfarë mund të themi rreth efekteve të saj, sa është numri i personave që kanë kërkuar ndihmë deri më tani?
Shërbimi ka nisur të aplikohet më 23 mars, një ditë përpara shpallej së gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Situata ishte e rënduar dhe u përpoqëm të vepronim shpejt. Kjo është hera e dytë që Urdhri i Psikologut ofron një shërbim falas kaq masiv për popullatën. Në tërmetin e 26 nëntorit, 350 psikologë vullnetarë nga e gjithë Shqipëria, nën drejtimin e një shtabi emergjence, dhanë ndihmë për të prekurit. Në janar dhe shkurt ne kemi patur disa trajnime për menaxhimin e emergjencave në aspektin psiko-emocional në bashkëpunimin me Federatën Evropiane të Psikologëve ku aderojmë me të drejta të plota dhe me kolegë italianë.
Në këto kushte, është krijuar një kastë e mrekullueshme psikologësh profesionistë, të cilët po specializohen pikërisht në përballimin e këtyre situatave dhe dhënien e ndihmës. Të mos lë këtu pa përmendur edhe shpirtin human të të gjithë profesionistëve psikologë, të cilët dinë të bëhen bashkë kur vendi kërkon ndihmën tonë. E them me krenari se, psikologët janë një komunitet profesionistësh ekselentë dhe të papërtuar në dhënien e ndihmës. Meritojnë 1000 falenderime!
Janë në total më shumë se 130 psikologë profesionistë, që po asistojnë popullatën kryesisht nëpërmjet telefonit. Grupi i parë prej 80 psikologësh i cili ka dhënë shërbim nga 23 marsi deri më sot, ka mbyllur këtë hark kohor me rreth 550 telefonata të marra apo konsultime online. Deri në datë 10 maj 2020 shërbimi do të vazhdojë të ofrohet nga një grup i dytë prej 114 psikologësh. Numri i telefonatave deri më tani është shumë i lartë dhe jashtë pritshmërive tona, kjo për dy arsye thelbësore.
E para sepse profesioni i psikologut ende perceptohet si jo domosdoshmëri nga pjesa dërrmuese e popullsisë dhe e dyta, sepse vetë shërbimi online ishte një risi në dhënien e ndihmës si për popullatën, ashtu edhe për vetë psikologët, të cilët në natyrën e tyre të punës, kanë më të shprehur konsultimin ballë për ballë. Kur e nisëm nuk e menduam, që realisht do kishim kaq shumë telefonata. Në komunikimet që kemi mes nesh vazhdimisht e themi se sa shumë kënaqësi është që kemi qenë prezent për kaq shumë njerëz në këtë periudhë të vështirë.
Cilat janë shqetësimet më të shpeshta për të cilat shqiptarët kanë kërkuar ndihmën e profesionistëve të psikologjisë?
Të dhënat që ne mbledhim çdo fund dite ende nuk janë përpunuar përfundimisht për të dalë në përfundime domethënëse, por ne kemi listuar problematikat më të shpeshta të cilat kanë referuar telefonuesit. Prevalon kërkesa për asistencë për ngarkesë emocionale në rreth 31% të telefonatave, e shoqëruar shumë shpesh me çrregullime të gjumit. Ndërkohë që 26% e individëve telefonojnë specifikisht për probleme të gjumit, përgjithësisht pagjumësi.
19% e telefonatave kanë ardhur për problematika të përjetuara me ankth dhe në disa raste të shfaqura edhe me atak paniku. Ndërkohë që kemi një shifër të lartë të qytetarëve të cilët raportojnë stres dhe ngarkesë emocionale, për shkak të pasigurisë për të nesërmen, kryesisht të fokusuar në aspektin ekonomik. Kjo kategori shkon në rreth 16% dhe ka patur rritje të ndjeshme në këto ditët e fundit.
Sa i takon grupmoshës dhe gjinisë, si e kanë përjetuar shqiptarët periudhën e izolimit?
Ditët e para kemi patur një numër më të lartë telefonatash nga meshkuj, raport i cili është përmbysur shumë shpejt. Aktualisht jemi rreth 79% femra dhe 21% meshkuj të personave që kërkojnë ndihmën e psikologut. Kjo e dhënë shkon në korrelacion të drejtë edhe me trendin e kërkesës për shërbimin e psikologut në tërësi në vend, shërbim i cili kërkohet më shpesh nga femrat.
Të mos krijojmë perceptime të gabuara. Kjo nuk do të thotë që meshkujt nuk përjetojnë ngarkesë emocionale në këtë periudhë. Si në shumë aspekte të jetës ata e kanë më të vështirë ta verbalizojnë anën e tyre emocionale, por edhe ata përjetojnë pasiguri, frikë, konfuzion, nervozizëm, çrregullime të gjumit e të tjera problematika.
Lidhur me moshën, ne kemi patur një fluks telefonatash dhe konsultash online për një fashë moshe mesatare nga 30-40 vjeç. Ajo çka është konstatuar, është një kërkesë më e lartë për konsulta nga gra me fëmijë. Duket se kjo kategori e ka patur shumë më të vështirë menaxhimin e kësaj periudhe karantine, për shkak se ju është dashur të menaxhojnë shumë gjëra njëkohësisht: largimin nga puna dhe izolimin, menaxhimin e fëmijëve, kujdesin ndaj shtëpisë e shumë më pak kohë për veten se zakonisht, stresin për të nesërmen dhe pasigurinë ekonomike.
Nga të dhënat e mbledhura individualisht, jo nga telefonatat, ne mendojmë se një kategori tjetër e cila ka përjetuar negativisht karantinën kanë qenë edhe personat e moshës së tretë që jetojnë kryesisht vetëm. Për shkak të mungesës së aksesit në internet, apo edhe për shkak të mosnjohjes qartë të shërbimit që ofron psikologu, nga kjo kategori kemi patur pak kërkesë për asistencë. Pasi të përfundojë kjo situatë emergjence, ndoshta do të vlerësohet mundësia e një studimi më të thelluar.
Referuar qyteteve, cilat po e përjetojnë më me vështirësi këtë situatë në të cilën ndodhemi?
Numrin me të lartë të telefonatave e kemi nga qytetet e mëdha, të cilat kanë aktualisht dhe numrin më të lartë të të prekurve. Pra kërkesa për konsulta psikologjike shkon në përputhje me kurbën e infektimeve në Tiranë, Shkodër, Durrës, Korçë, Vlorë, Lezhë. Është një reagim psikologjik normal i individit: sa më shumë të ndihemi të rrezikuar, aq më shumë përjetojmë stres dhe ngarkesë psikologjike.
Deri kur do të mund të vijojë ofrimi i kësaj ndihme online, e cila duhet ritheksuar se ofrohet falas për të gjithë qytetarët në vend?
Sot kemi publikuar listat e grupit të dytë të psikologëve që do të ofrojnë shërbimin deri më datë 10 maj 2020. Në varësi të situatës do të shohim si do të vijojë shërbimi. Një pjesë e këtij grupi, janë psikologë që kanë qenë edhe në grupin e parë dhe kanë ofruar shërbim që në fillimin e nismës. Janë të familjarizuar me problematikat më të shpeshta, formatin e konsultimeve dhe me dëshirë për të mos e ndërprerë ndihmën.
Sa e vështirë ishte për ju si urdhër që të organizoni ofrimin e këtij shërbimi, diktuar edhe nga kushtet e izolimit?
Në këto ditë që jetojmë shumë gjëra janë shumë më të vështira se ishin në fillim të marsit pa u shpallur pandemia, padyshim dhe organizimi i institucionit tonë. Por, më besoni, ka një dashuri të madhe për profesionin nga çdo psikolog në Shqipëri, ka vullnet dhe angazhim maksimal për të ndihmuar këdo. Nëse do kishit mundësi të njihnit secilin prej tyre, do të kuptonit, se sa më të lehta na bëhen gjërat kur ka kaq shumë frymë bashkëpunimi.
Tashmë kemi kaluar shumë ditë në karantinë, dhe nuk dihet ende se sa do të vijojë kjo situatë, çfarë mund të këshillojmë që të mund ta përballojmë sa më lehtë?
Së pari, mos ngurroni të na telefononi dhe kërkoni ndihmën tonë për çdo vështirësi emocionale që hasni si pasojë e karantinës dhe pandemisë.
Së dyti, referojuni faqes së web të Urdhrit www.urdhriipsikologut.al në një seksion të veçantë për COVID-19, ku mund të merrni më shumë informacion për aspektin psikologjik.
Së fundmi, mendoni pozitivisht. Pas dimrit vjen pranvera, është rregull i natyrës!
Pranvera Kola\Dita


