“Kthime të garantuara, pa stres!” 2,500 paund për të nxjerrë me kamion kriminelët nga Anglia! Si “ra në grackën” e të infiltruarit të Daily Mail kontrabandisti SHQIPTAR që reklamonte “biznesin” në TikTok

Emigrantët kriminelë po i shmangen drejtësisë duke u kontrabanduar nga Mbretëria e Bashkuar me kamionë, raporton prestigjozja Daily Mail.

Në një hetim të sajin gazeta zbuloi se një shqiptar, i cili në fakt duhet të jetë vet pas hekurave, drejtonte një rrjet i cili ndihmonte kriminelët të iknin kundrejtë pagesës 2,500 paund.

Nën petkun e një paturpësie të pakonceptueshme, organizatori operon online në rrjetet sociale me “biznesin” e tij që e ka quajtur “Kthime nga Anglia”, dhe aty reklamon shërbim ekspres “pa stress” për të arratisur emigrantët me një “kalim 100% të siguaruar”.  Por nuk mbaron me kaq, kontrabandisti “është shumë i aftë në marketing” pasi ai u mburr se ekipi i tij i shoferëve të korruptuar kishte trafikuar të paktën 50 persona në Francë, pasi ata “kryenin krime dhe donin të udhëtonin shpejt”.

“Sipas shifrave të fundit, në Mbretërinë e Bashkuar jetojnë më shumë se 1,000 kriminelë të huaj – përfshirë përdhunues, vrasës dhe terroristë” shkruan Daily Mail.

Si u zbulua nga Daily Mail?

Një gazetar u infiltrua, duke vepruar si ndërmjetës, dhe kontaktoi kontrabandistin, i cili u prezantua si Alfons dhe tha se një burrë që po e ndihmonte të arratisej përballej me 16 vjet burg nëse kapej. Ai shtoi se ishte i lumtur të ndihmonte vrasësit t’i shpëtonin drejtësisë.

Kriminelët që presin dënimin ose të dyshuarit që presin akuza rrezikojnë të kapen nëse përpiqen të ikin duke rezervuar një fluturim ose traget. Por, ndryshe nga kamionët që hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar, nuk ka “kontrolle” për ata që largohen, pretendoi Alfons, dhe asnjë nga ato që ai kishte kontrabanduar nuk ishte kapur.

“Alfonsi” tashmë i vendosur në Belgjikë me sa duket është arratisur nga Mbretëria e Bashkuar për të shmangur burgun pasi ishte i përfshirë në një fabrikë kanabisi.

Llogaria ‘Kthimet nga Anglia’ në TikTok ka përdorur një video nga një influencues shqiptar me dhjetëra mijëra ndjekës. Në të, influencuesi – i njohur si ‘Bandit’ – thotë: ‘Hej, kontakto bashkatdhetarin tonë dhe je i lirë duke paguar vetëm 2,000 £.’

“Kontaktoni patriotin tonë, për njerëzit që kryejnë krime dhe duan të ikin shpejtë para se të hynë në burgun e miut”

Alfons, i cili e rriti çmimin në 2,500 paund për gazetarin tonë, tha: “U nisa me një kamion. Nëse do të kisha qëndruar, do të isha në burg për një vit.”

“Më arrestuan brenda një shtëpie me kanabis. U grinda me njerëz që erdhën për të grabitur shtëpinë. Fqinjët njoftuan policinë.” I pyetur pse nuk u mbajt në paraburgim para gjyqit, ai tha: Burgu ishte plot. Nuk kishte vend, kështu që më vunë një etiketë në kyçin e këmbës. E preva.” Ai u mburr: “Deri tani kam nxjerrë 50 persona. Askush nuk është kapur ende.”

Alfonsi i kishte të gjitha detajet të mirëmenduara, pasi i foli gazetarit të infiltruar se kishte një “vend të dedikuar” për “vrasësin”për të cilin gazetari po “ndërhynte” në pjesën e prapme të kamionit. “Mos u shqetëso. Ai nuk do të gjendet”, tha kontrabandisti. “Nuk ka qen apo kontrolle. Nuk është si kur kamionët hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar. Kemi një udhëtim çdo javë dhe nuk do të gjendet asnjë.”

I pashqqetësuar nga fakti që gazetari i Daily Mail i tha se personi që do të arratisej ishte një vrasës, ai sqaroi se përodr 4 shoferë të gjithë shqiptarë të Kosovës. Më pas i dërgoi gazetarit një “link” për vendin e takimit, Maidstone M20 Services, në Kent, ndalesa e fundit e furnizimit me karburant dhe pushimit para terminalit të Eurotunnel që lidhet me Kontinentin.

Kur  gazetari ishte i pasigurt se në cilën ditë mund të nisej, kontrabandisti i tha troç: “Ne nuk kemi udhëtime sipas kërkesës, si taksitë. Nuk ka udhëtime çdo ditë.” I pyetur për besueshmërinë e shoferëve, ai u përgjigj: “Po më provokoni? A e dini kush jam unë?”

“Në datën e planifikuar të udhëtimit, ai telefonoi si i tërbuar, me shoferin e kamionit në një linjë tjetër, ndërsa përpiqej ta drejtonte gazetarin tonë te shoferi që po priste. Gazetari ynë nuk vazhdoi me udhëtimin. Sekretari i Brendshëm në hije, Chris Philp, tha: “Duket sikur Qeveria nuk mund të kontrollojë se kush hyn ose kush largohet nga ky vend.”” raporton Daily Mail.

Ndërkohë llogaria e Alfons në Tik Tok u hoq para se Daily Mail ti drejtohej platformës për një koment.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT