“Askush nuk më përjashton dot nga partia”, Noka i përgjigjet “flakë për flakë” Salianjit, i tregon kush është “zoti” në parti! Largon ish-deputetin nga grupi i Kryesisë në Whatsapp

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka ka hequr nga grupi i Kryesisë në Whatsapp Ervin Salianjin. Do të ketë qenë deklarata e këtij të fundit e bërë në protestën e mbrëmjes së sotme teksa iu përgjigj Nokës dhe Berishës duke thënë “Nuk më përjashton dot askush nga partia”.
Nuk ka vonuar dhe Noka e ka hequr nga grupi si për t’i treguar “fuqinë” që Noka ka në parti. Përplasjet mes Flamur Nokës, Berishës dhe Salianjit janë tensionuar në mbledhjen e fundit të kryesisë e më pas me takimin e ish-deputetit në Elbasan me demokratët.
Në mbledhjen e kryesisë Salianji akuzoi drejtpërdrejt Flamur Nokën për gjendjen aktuale të PD-së duke i kërkuar dhe dorëheqjen. Më pas Noka iu përgjigj me akuza për Suel Çelën, kreu i bandës kriminale të Elbasanit, duke i thënë se ishte ai që i organizoi takimin në Elbasan.
Berisha tha se në momentin që Salianji ka bashkëpunuar me krimin, automatikisht është vetëpërjashtuar nga Partia Demokratike. Kjo deklaratë u pasua më pas me largimin e Salianjit nga drejtimi i një njësisë nr. 6 në Tiranë, por ky i fundit si për t’i bërë karshillëk këtyre veprimeve, ishte sot në protestë me demokratët, por i distancuar nga figurat e partisë.