“Çunat” e Shqiponjave të trajnuar, si parandaluan tragjedinë përballë Kryeministrisë! 10 militantë shoqërohen në Komisariat, hodhën “breshëri” molotovësh drejt tyre (DETAJE PAS PROTESTËS)

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka vlerësuar sjelljen dhe profesionalizmin e treguar nga Policia e Shtetit gjatë protestës së zhvilluar këtë të hënë, duke theksuar qetësinë dhe përgjegjshmërinë e strukturave policore në menaxhimin e situatës.
I ftuar në emisionin “Top Story”, Karamuço u ndal te përgatitja e forcave speciale “Shqiponjat”, të cilat sipas tij janë trajnuar në mënyrë të avancuar, veçanërisht pas rasteve të mëparshme të plagosjes së efektivëve gjatë protestave.
Ai vlerësoi ndërhyrjen humane të policisë në një rast, ku efektivët ndihmuan një protestues që po tentonte të hidhte një molotov.
“Shqiponjat kanë trajnuar një grup të mirë. I kanë trajnuar sepse kemi pasur raste të plagosjes së tyre. Dua ta falenderoj Policinë e shtetit se me një akt human ndihmuan një protestues për ta hedhur më tej molotovin, e shuajtën pasi atij i shpërtheu te këmbët. Është një polici e mirë trajnuar, e qetë”, tha ai teksa më tej theksoi se përdorimi i molotovëve përbën rrezik serioz për jetën, pasi konsiderohet armë dhe është njësoj si një sulm me armë zjarri, duke vënë në rrezik jo vetëm efektivët, por edhe qytetarët përreth.
Sakaq theksojmë se në kuadër të ngjarjeve të sotme, 10 persona janë shoqëruar në ambientet e Policisë për hedhjen e molotovëve gjatë protestës.