KPP krenohet me trajnimin e amerikanëve, SPAK i bastisi shtëpinë zv.kryetarit! DOSJA: “Njeriu” i Ermal Beqirit në Komision, refuzoi kërkesat e biznesmenit që u mor peng me urdhër të Agasit

Zëvendëskryetari i Komisionit të Prokurimeve Publike ka publikuar pasditen e kësaj të marte pamje nga një trajnim që është zhvilluar në Ambasadën Amerikane në Tiranë, për përdorimin e inteligjencës artificiale në prokurimin publik.

Me krenari, ai tregon se institucioni ku është drejtues, trajnohet nga ekipet amerikane, ndërkohë që një javë më parë shtëpia e K.T u bastis nga SPAK, pas goditjes së grupit kriminal në AKSHI.

“Sot në Ambasadën Amerikane në Tiranë, Komisioni i Prokurimit Publik i Shqipërisë iu bashkua një tryeze të rrumbullakët të nivelit të lartë mbi Inteligjencën Artificiale në prokurimin publik. Diskutimi u përqendrua në transparencë, diskrecion të reduktuar dhe akses të drejtë në treg. Inteligjenca Artificiale nuk është një trend. Është një mjet qeverisjeje”, shkruan zëvendëskryetar i KPP-së.

Newsbomb.al ka parë dosjen e Prokurorisë së Posaçme dhe në të rezulton se biznesmeni i marrë peng me urdhër të Ergys Agasit, Gerond Meçe ka akuzuar drejtpërdrejt në SPAK zëvendëskryetarin e KPP-së, K.T, për refuzimin e kërkesave të tij për tërheqjen nga ankimimet e tenderave.

Gerond Meçe, siç rezulton në dosje dhe është arritur të provohet dhe nga SPAK, është marrë peng pikërisht për t’u tërhequr nga ankimimet që ai kishte bërë për disa procedura tenderuese, kur fituese ishin shpallur kompanitë e dy miqve, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.

KPP krenohet me trajnimin e amerikanëve, SPAK i bastisi shtëpinë

Pjese nga deshmia e Gerond Meçes ne SPAK

Sipas deklarimeve të biznesmenit, për të verifikuar në kohë reale një tërheqje nga procedurat e ankimimit ishte e nevojshme të ketë një autoritet brenda KPP-së. Emri i përmendur ishte K.T, i cili dyshohet të ketë lidhje me biznesmenin Ermal Beqiri.

Dosja e SPAK tregon se kërkesa për pezullimin e “njoftimit të tërheqjes” nga kompania ‘ABS’ u refuzua nga KPP, duke lënë të hapur dyshimet për ndërhyrje dhe mbështetje të pengmarrësve brenda institucioneve. Hetimet nxjerrin në pah një skemë të mundshme bashkëpunimi mes biznesmenëve dhe disa anëtarëve të KPP për të manipuluar proceset e tenderave në AKSHI, duke treguar implikimin e drejtpërdrejtë të disa funksionarëve publikë.

Këtë e ka provuar dhe Prokuroria e Posaçme, e cila në arsyetimin e dosjes thotë se KPP ka nxituar të pranonte ankimiet e kompanisë së Gerond Meçes në kohë rekord, ndërkohë që kur drejtuesit kanë bërë kërkesë për tërheqje nga ankimimi të nesërmen, janë njoftuar se tashmë ato ishin bërë.

“Nga kjo veprimtari rezulton bindshëm se dhe KPP ka nxituar të pranojë ankimimet e OE “ABS” të cilat i janë marrë forcërisht në rrethanat e përshkruara në këtë kërkesë çka do të thotë që kjo ka qenë e koordinuar me veprimet e grupit të strukturuar kriminal. KPP ka marrë në konsideratë vetëm “tërheqjen nga ankimimi” të vetëm njërit prej OE pa marrë në vlerësim faktin që në këtë procedurë ka qenë dhe një kompani tjetër si BOE, gjë e cila është dokumentuar plotësisht në marrëveshjen e bashkëpunimit mes dy operatorëve për pjesëmarrjen në këtë procedurë. Në këtë marrëveshje është parashikuar shprehimisht se asnjë nga OE nuk mund të tërhiqej nga gara individualisht pa marrë pëlqimin e tjetrit”, thotë SPAK.

KPP krenohet me trajnimin e amerikanëve, SPAK i bastisi shtëpinë

Pjese nga dosja e SPAK

Kjo përforcohet edhe nga deklarimet e Gerond Meçes në SPAK, i cili ka thënë se gjatë kohë që ishte marrë peng dhe autorët biseduan me administratorin e kompanisë së tij për tërheqje nga të gjitha ankimimet e tenderave, pas disa minutash ata janë njoftuar se kërkesat ishin bërë në sistem.

Është e qartë se personat që e morën peng kishin lidhje me zyrtarë të Komisionit të Prokurimeve Publike, të cilët kishin parë dhe raportuar në kohë reale tërheqjen nga ankimimet të kompanisë së Gerond Meçes. Personi që biznesmeni ka akuzuar në SPAK, është zëvendëskryetari.

© Newsbomb.al

Back to top button
LAJMET E FUNDIT