Shqipëria pajiset me sistemet raketore Javelin! Ministri Vengu: Do përforcohen misionet e trupave tanë

Shqipëria është pajisur me sistemet Javelin. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili është shprehur se ato janë siguruar falë bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përmes një postimi në rrjetet sociale Vengu thotë se Javelin-at do të forcojnë aftësitë mbrojtëse të Forcave të Armatosura shqiptare, rrisin parandalimin, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare.

“Ta bëjmë të qartë edhe për njerëzit që na ndjekin dhe për publikun e gjerë. Jemi në një nga vendbazimet e forcës së Armatosur, forcës tokësore, nuk kemi nevojë të japim detaje se ku ekzaktësisht, por sapo është kryer dorëzimi i një sasie të parë i sistemit të lëshimit Javelin. Edhe Shqipëria edhe Kosova janë pjesë e kësaj ndihmese dhe bashkëpunimi bilateral me SHBA-të. Sikundër edhe raketat e para antitank që lëshohen nga këto sisteme është e rëndësishme për tre arsye.

E para sepse ka të bëjë me një kërkesë të hershme të forcave dhe më në fund po realizohet, e dyta sepse bashkëpunimi me SHBA-të mbetet në themel të forcimit të kapaciteteve tona dhe të rritjes së aftësive mbrojtëse. Pika e tretë e rëndësishme ka të bëjë me aftësimin e personelit tonë të luftimit me të gjitha sistemet, pajisjet teknologjike të përditësuara, ndaj ka këtë domethënie të trefishtë”, tha Vengu.

Më tej ai shtoi se kjo është vetëm dërgesa e parë e njësive të lëshimit dhe raketave, pasi vitin tjetër pritet dërgesa e dytë. “Paisjet dhe sistemet vijnë të përforcojnë edhe misionet e trupave tona qoftë në misione të NATO-s, qoftë në misione të BE-së. Ka një dobishmëri të dyfishtë”, shtoi ministri.

Sistemet Javelin janë sisteme të avancuara raketore kundërtanke, të bartshme nga një person, me funksionim “zjarr dhe harro” (fire-and-forget), të përdorura nga këmbësoria për të shkatërruar mjete të blinduara, bunkerë dhe objektiva të tjera. Sistemi është zhvilluar nga Raytheon dhe Lockheed Martin dhe përbëhet nga Njësia e Komandimit dhe Lëshimit (CLU) për identifikimin dhe shënjestrimin e objektivit, si dhe nga raketa vetë. Kjo u lejon ushtarëve të qëllojnë dhe të marrin menjëherë mbulim, pa pasur nevojë të qëndrojnë të ekspozuar pas lëshimit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT