Shqipëria – vendi i mijëra shpellave të mëdha dhe me vlera të mëdha

Prof.dr. Perikli Qiriazi
Pas vitit 1990, me ndihmën dhe bashkëpunimin miqësor me shumë grupe të huaja speleologjike, u zbuluan mbi 2000 shpella, midis tyre: Shpella e Shtarës (10,3 km e gjatë) në Curraj të Epërm, Pusi i Kakisë (723 m i thellë) në malin homonim në jug të Valbonës etj; shpella epigjene dhe hipogjene. Shtrirja e formacioneve të tretshme (rreth 23% të vendit) mundësojnë disa mijra shpella të tjera, me vlera të mëdha shkencore, turistike, didaktike, kulturore, shiprtërore e fetare. Kjo është një pasuri e madhe, një mundësi tjetër për studime e zhvillimin e turizmit speleologjik, aq të kërkuar nga lëvizja turistike botërore.
Zbulimi e eksplorimi i kësaj pasuri u mundësua nga grupet speleologjike të huaja. Ministria e Mjedisit dhe Turizmit, AKZM, ARZM, pushteti vendor, të gjithë ne, duhet të jemi mirënjohës e falënderues ndaj eksploruesve të huaj, sepse na dhanë informacione të vyera shkencore për botën tonë nënëtokësore, deri planimetrinë e shumë shpellave, duke krijuar mundësi për menaxhimin e shfrytëzimin e vlerave të tyre për qëllime studimore e turistike. Ne duhet t`u krijojmë atyre kushte për eksplorimet e vështira, madje të rrezikshme. Në këtë kuadër, vlerësojmë edhe zbulimin e liqenit termominerar në shpellën e Kopiles
Në shkurtin që lamë pas, media jonë, por dhe disa të huaja, u dominuan nga lajmi sensacional se një grup speleologësh e studiues të dëgjuar çek dhe nga disa vende të tjera zbuluan në Vromoner të Leskovikut liqenin termominerar nëntokësor më të madh në botë (138 m i gjatë, 42 m i gjerë, 345 m perimeter, sipërfaqia 3200 m2 dhe volum 8335 m3 ujë të nxehtë). Nuk munguan komentet, që mund të ndahen në: vlerësues të këtij zbulimi dhe të autorëve të tij dhe në mohues të zbulimit në fjalë, madje në disa komente u theksua se grupi speleologjik i huaj nuk ka respektuar ligjin shqiptare dhe se grekët synojnë ta përvehtësojnë këtë vlerë të madhe të natyrës sonë etj. Edhe unë, nga pozicioni i studiuesit gjeograf të natyrës sonë dhe si drejtues, për një kohë të gjatë, i Shoqatës Didaktike Shkencore Speleologjike Shqiptare, u prononcova në emisionin AND, RTSH1 të gazetarit të njohur Ilir Yzeiri. Në vijim, në gazetën Tema, po shpreh disa konsiderata rreth këtij zbulimi në shpellat hipogjene të Vromonerit, afër Leskovikut.
Çfarë janë shpellat hipogjene dhe në çfarë kushtesh formohen ato?
Shpellat formohen nga proceset karstike (tretja në ujë e disa llojeve shkëmbinjësh, si: gëlqerorë, gjips, anhidrite, kripë guri). Shpellat e zakonshme formohen nga ujërat sipërfaqësore, ndërsa shpellat hipogjene formohen nga ujërat e ngrohta të ardhura nga thellësia e tokës përmes thyerrjeve tektonike. Kur ato dalin në sipërfaqe krijojnë burime termominerare, por ka raste kur mbushin boshllëqet në thellësi, duke krijuar liqene nëntokësore termominerarë. I tillë është edhe liqeni i zbuluar në Vromoner. Përmbajtja e lartë e gazit karbonik dhe sidomos e gazet sulfidrik në këto ujëra rrit aftësinë e tyre tretëse të shkëmbinjëve karbonatikë e sulfatike. Si të tilla këto ujëra, kanë krijuar labirinthe të vërteta galerish, boshllëqesh, korridoresh, shpellash karstike me përmasa dhe dendësi shumë të mëdha.
Grupi i madh i speleologëve dhe i studiuesve italianë “Martina Franka”, në masivin gëlqeror dhe gjipsor me sipërfaqe vetëm 1 km2 të kanionit të Langaricës (degë e Vjosës, Përmet), zbuluan 13.2 km shpella, e korridore karstike. Ky është sistemi karstik hipogjen më i madh në Shqipëri dhe sistemi i dytë në botë. Të tilla ka edhe në kanionin e Holtës (degë e Devollit, Gramsh), si: Pusi i Avullit etj.
Theksojmë se zona e ujërave termiminerare Kavasile (Greqi) – Vromoner – Postenan (avuj të nxehtë) – Langaricë lidhet me një brez thyerrjesh të mëdha tektonike, të krijuara përgjatë përplasjes dhe mbihipjes së katër zonave tektonike të Albanideve: Mirdita, Krasta-Cukali, Krujës dhe Jonike. Si u tha, përgjatë këtyre thyerrjeve tektonike qarkullojnë ujërat në thellësi, ku ato ngrohen dhe pasurohen me kripëra e minerare.
Në zonën hidrotermale greke të Kavasilës në Greqi është ngritur një stacion i madh banjash kuruese, pishinat e të cilit furnizohen me ujë termominerar nga puset e shumtë, që depërtojnë deri në thellësinë 300 m. Specialisti i grupit Jiří Bruthans, që mati prurjen e madhe të këtyre puseve, thekson se kjo po ndikon ndjeshëm në regjimin dhe zvogëlimin e dukshëm të prurjeve të burimeve termominerare përreth, përfshi dhe burimet në pjesën tonë, që u shfrytëzuan për kurim vetëm në vitet 1970 – 1990. Pas shkatërrimit infrastrukturës spitalore në vitin 1997, kjo qendër, me vlera të mëdha, për fat të keq, u braktis, duke privuar zonën nga turizmi kurativ.
Lidhur me menaxhimin e këtyre burimeve, problem jo i vogël është mungesa studimeve të përbashkëta shqiptaro-greke mbi qarkullimin nëntokësor të ujëra termominerare (burimet, regjimi, ndikimi i shkallës së shfrytëzimit, ndotjeve të mundshme, rezervat dhe perspektiva në të ardhmen etj). Këto studime duhet të mbështeten në rilevime dhe në matje të sakta të gjithë rrjetit të boshllëqeve nëntokësore karstike, të cilat me siguri vazhdojnë nga territori grek në atë shqiptar. Kjo kërkon ngritjen e grupeve të përbashkëta specialistësh për të studiuar e përgatitur hartën e këtij rrjeti dhe pasqyrimin e tij në sipërfaqe, duke zgjidhur kështu pronësinë e formave apo liqeneve karstike midis dy shteteve kufitare dhe bazën shkencore të marrëveshjes dy palshe, të munguar, me shtetin grek. Mbi bazën e studimit dhe të ligjit ndërkombëtar të shfrytëzimit të ujërave ndërkufitare sipërfaqësore e nëntokësore, marrëveshja të përcaktojë rrugët, mënyrat, normat e shfrytëzimit, pa prekur interesat e njeri-tjetrit, aktuale e të perspektivës.
Kontributi i speleologëve të grupit speleologjik çek, të vërtetat dhe egzagjerimet
Në vitet 2023 dhe 2024, grupi i madh speleologjik çek etj realizoi eksplorime speleologjike në zonën kufitare Kavasile (Greqi) – Vromoner – Lengaricë (Shqipëri). Ky grup, me teknologjinë dhe paisjet më të fundit dhe me speleologë e studiues të njohur, ka meritë të pamohueshme për eksplorimin, dokumentimin e studimin e shpellave hipogjene në zonat e burimeve e avujve termominerarë në të dy anët e kufirit tonë shtetëror me Greqinë: Kavasilë – Vromoner – Langaricë. Meritë e tij është zbulimi, eksplorimi, hartografimi e studimi i liqenit të madh nëntokësor termominerar në thellësinë 127 m të shpellës së njohur të Kopiles, në afërsi të kufirit, fshatit Kuqes dhe lumit të Sarandopores. Ky liqen furnizon burimet termominerarë përreth. Ky zbulim, duke hedhur dritë mbi lidhjen e ujërave nëntokësore me sipërfaqen, ndihmon në mbrojtjen e vlerave të tyre nga ndotja apo mbishfrytëzimi. Midis rezultateve të tjera të studimit, do të veçonja gjetjen e gjallesave endemike, që jetojnë vetëm në brendësi të kësaj shpelle, si dhe të shumë objekteve arkeologjike. Për të gjitha këto ky grup speleologjik meriton mirënjohjen dhe falënderimet tona. Do të theksonja se duhet marrë me rezervë cilësimi i liqeni si “më i madhi në botë” në llojin e vetë. Inteligjenca artificiale flet për liqene të tillë më të mëdhenj, si: liqeni Seegrotte në Austri, me sipërfaqe rreth 6000 m2 etj. Më afër realitetit dhe larg publicitetit të panevojshëm për studiuesit, do të ishte që liqeni ynë të cilësohej “ndër më të mëdhenjtë në botë”. Kjo padyshim nuk ia ul aspak vlerat e shumta të tij.
Prof. Blerina Vrenozi, biologe në departamentin e biologjisë së UT, së bashku me një grup shkencëtarësh të huaj, biologë e speleologë, në shpellën e Squfurit (në zonën kufitare Shqipëri – Greqi të Vromonerit), zbuluan rrjetën gjigande merimage (rreth 100 m2), të endur nga një superkoloni me mbi 100 mijë individë të dy llojeve të ndryshme vetmitare merimangash. Sipas tyre, bashkëjetesa e tyre përbën mister, ndërsa rrjeta gjigande në fjalë, për nga pëmasat, është e vetmja në botë. Po sipas tyre, ky fenomen shfaqet në kushtet skajore të shpellës, ku baza e zinxhirit ushqimor mbështetet në kemoautotrofi, i cili është një proces tepër i rrallë biologjik, që zhvillohet në mjedise krejt të erët dhe me përqëndrim të lartë squfuri.
Problemet ligjore të eksplorimeve dhe studimeve nga të huajt në territorin tonë
Veprimtaria kërkimore e shkencore në zonat e mbrojtura mjedisore nga shqiptarë dhe të huaj kryhet mbi bazën e aktit tonë ligjor: VKM nr. 302, datë 10.5.2019 “Për Kriteret e Ushtrimit, të Miratimit e Monitorimit të Veprimtarive Kërkimore e Shkencore në Zonat e Mbrojtura Mjedisore”. Sipas tij eksplorimet e studimet në zonat e mbrojtura kryhen vetëm me lejë zyrtare nga Agjensia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura në Shqipëri, ndërsa dorëzimi i raportit mbi rezultatet e eksplorimeve pranë kësaj agjensie është detyrim ligjor. Në kontaktet tona të fundit, drejtuesit e grupit theksuan se kanë informuar ambasadat tona në Pragë dhe Bukuresht mbi rezultatetet e eksplorimeve të tyre në Shqipëri. Ne e vlerësojmë njohjen e ambasadave tona me këto rezultate; kontaktet me policinë kufitare shqiptare dhe kryetarin e njësisë administrative të Leskovikut. Urojmë që t`i kenë ndihmuar. Por ato nuk kanë kopetencë ligjore të japin lejë zyrtare për studime e eksplorime në territorin tonë.
Problem mbetet edhe riemërtimi i shpellës së Kopiles, si shpella Atmos (Avulli). Emertimi ynë i mbeshtetur në emërtimin e banorëve është zyrtar, që nuk nuk duhet të ndryshojë. Kjo ka ndodhur edhe me disa grupe të tjera. Grupit çek i sugjeruam që, krahas emërtimit “Atmos”, të përdorin edhe emërtimin tonë “shpella e Kopiles”, ndërsa për emërtimin e liqenit termal “Neuron”, pavaresisht detyrimit ndaj fondacionit sponsorizues, duhet të ishte konsultuar me palën shqiptare. Iu kujtojmë të gjitha grupeve të huaja se toponomastika në Shqipëri jepet apo ndryshohet vetëm me akte ligjore. Theksimi i këtyre problemeve nuk ka kursesi qëllim të pengojë grupet e huaja që të vazhdojnë eksplorimet në Shqipëri. Ne duam që të respektohet ligji shqiptar. Leja zyrtare për kërkimet e tyre, veç të tjerave, do ta shtonte përgjegjesine e shtetit shqiptar për sigurinë dhe suksesin e punës së tyre.
Njëherazi theksoj se vetë VKM nr. 302, datë 10.5.2019 ka një problem jo të vogël, sepse kërkon që eksploruesit e studiuesit e huaj të natyrës, në zonat e mbrojtura duhet të paguajnë shuma jo të vogla. Sipas grupit speleologjik polak, vendi ynë është i vetmi në botë që e kërkon këtë pagesë. Si u tha, ne duhet t`i falnderojmë ata për ndihmesën e madhe në njohjen e vlerave të mëdha të natyrës sonë dhe kursesi t`u kërkojmë të paguajnë. Natyrisht, ata duhet të respektojnë ligjet tona. Nisur nga kjo, rekomandojmë që të rishikohet ky vendim, duke hequr nenin e pagesën në fjalë.
Përgjegjësitë e pushtetit vendor, sugjerime për vlerësimin e përdorimin turistik të shpellave
Pushteti vendor administron vlerat natyrore në territorin e vet. Ai ka detyrën t`i mbrojë dhe menaxhojë për të siguruar zhvillimin e shpejtë dhe të qendrueshëm socialekonomik. Ky pushtet duhet të kontrollojë zbatimin e ligjeve shqiptare nga grupet e ndryshme eksploruese të huaja, të cilat jo gjithmonë janë të tilla. Ka pasur rastet që, të kamufluar si studiues, kanë grabitur thesaret tona natyrore apo kulturore. Me grupet me lejë zyrtare, që zhvillojnë veprimtarinë e tyre konformë kërkesave ligjore, pushteti vendor duhet të bashkëpunojë, duke i ndihmuar dhe të konsultohet për menaxhimin e vlerave të zbuluara.
Tani janë të gjitha mundësitë për menaxhimin turistik të shpellave tona. Vromoneri me burimet termominerare, shpellat hipogjene, liqenin e madh terminerar nëntokësor etj, ofron kapacitete të mëdha turistike. Projektet e studiuara mund ta kthejnë gjithë zonën në një park të madh turistik, ku të aplikohen disa lloje të turizmit: kurativ, speleologjik në shpellat e liqenin; turizmi ekologjik, kulturor, malor etj. Kjo do të hapte perpektivë të madhe zhvillimi dhe do të krijonte bindjen se aty mund të investohet dhe mund të jetohet shumë mirë. Ju siguroj se territori grek matanë kufirit, me resorte të mëdha kurative dhe turistike, nuk ka asgjë më shumë se pjesa jonë.