Dosja për AKSHI-n pritet “t’i hajë kokën” edhe dy zyrtarëve të lartë, DETAJE: Biznesmeni Beqiri kishte vendosur jahtin 1.5 milionë euro në emër të punonjëses

Hetimet për dosjen e AKSHI-t janë zgjeruar në verifikim pasuror, ndërsa priten masa sigurie për dy funksionarë të lartë publik. Gazetari Arsen Rusta ka bërë të ditur se SPAK dhe BKH kanë futur në sitë biznesmenë dhe persona të përfshirë në këtë çështje, duke kontrolluar pasuritë e tyre dhe lëvizjet financiare.

Sipas Rustës, një nga rastet që po verifikohet është ai i biznesmenit Ermal Beqiri, i cili rezulton të ketë blerë një jaht luksoz të markës Predator me vlerë rreth 1.5 milionë euro, të regjistruar në emër të një punonjëseje. Aseti ndodhet aktualisht nën monitorim dhe kontroll preventiv, pa një vendim gjykate për sekuestrim.

Në listën e hetimit pasuror janë edhe disa emra të tjerë të njohur, ndërsa pritet që SPAK të ndërmarrë masa të tjera sigurie, përfshirë dy funksionarë të niveleve të larta shtetërore. Deri tani, autoritetet nuk kanë dhënë një reagim zyrtar.

“Flitet për veprime dhe për masa të tjera sigurie nga SPAK për dosjen ASKSHI. SPAK nuk ka bërë asnjë sqarim. Në listën e verifikimeve të pasurive, lista e biznesmenëve dhe 8 personave të përfshirë në masat e sigurisë mes tyre Ergys Agasi, Ermal Beqiri, Mirlinda Karçanaj, Hava Delibashi, Andis Papa, dhe të tjerë të dyshuar po kalojnë në hetim pasuror. Në këtë hetim pasuror SPAK dhe BKH ka mundur të vendosë një kontroll, ende me masë sekuestro preventive rezulton që nuk ka një vendim gjykate për ta sekuestruar, por është në monitorim një jaht luksoz i markës Pretador. Ky jaht me vlerë 1.5 mln euro, një aset i blerë nga Ermal Beqiri, që e ka në emër Xhenila Tamizi. Ky informacion ndodhet në faqen 187 të vendimit të bërë publik.

Me qëllim verifikimin e të dhënave është proceduar me marrjen e pyetjeve të disa punonjës të E.A Solution. Trajnimet e tyre i ka bërë Xhenila Tamizi. Është e punësuar në Soft and Solution”, ka thënë Rusta, teksa më tej ka paralajmëruar se dy masa të tjera sigurie do të jepen në vijim dhe kësaj here për dy funksionarë të lartë.

“Dyshohet se do të ketë dy masa sigurie për dy funksionarë të lartë publik. Flitet për nivele të lartë, qoftë qeveritare. Gjithçka lidhet me verifikimin pasuror”, tha ai.

Njoftimi i SPAK për AKSHI-n:

Një hetim i gjerë i Prokurorisë së Posaçme, i zhvilluar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, ka zbuluar një skemë të dyshuar kriminale të manipulimit të tenderave publikë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, përmes presionit, dhunës dhe heqjes së paligjshme të lirisë.

Sipas SPAK, hetimi ka çuar në caktimin e masave të sigurisë për tetë persona, me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mes personave ndaj të cilëve janë vendosur masa janë edhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, si dhe zëvendësdrejtoresha Hava Delibashi, për të cilat gjykata ka vendosur masën e “arrestit në shtëpi”.

Në qendër të hetimit janë edhe Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiri, të cilët akuzohen për disa vepra të rënda penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, shkeljen e barazisë në tendera, heqjen e paligjshme të lirisë, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Për ta është vendosur masa e “arrestit me burg”, por ajo nuk është ekzekutuar, pasi të dy nuk ndodhen në Shqipëri.

“Në kuadër të veprimtarisë së grupit të strukturuar kriminal, shtetasit e dyshuar kanë konsumuar veprën penale të konkurrencës së paligjshme përmes dhunës dhe kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, duke i hapur rrugë kompanive të paracaktuara për t’u shpallur fituese”, thuhej në njoftimin e SPAK.

Personat e përfshirë në këtë skemë kanë ushtruar presion ndaj përfaqësuesve të kompanive që merrnin pjesë në procedura tenderimi, duke i detyruar ata të tërhiqnin ankesat administrative. Ky veprim, sipas organit të akuzës, ka favorizuar kompani të paracaktuara, të cilat përfitonin kontratat publike, në raste kur shqyrtimi i ankesave mund të kishte ndryshuar rezultatin e garës.

Në këtë çështje dyshohet se është përfshirë edhe një zyrtar i Policisë së Shtetit. Sipas SPAK, Erion Ismaili, zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimit në Policinë e Tiranës, është vënë nën masën e “pezullimit nga detyra” dhe “ndalimit për të dalë jashtë vendit”.

Gjithashtu, tre biznesmenë të tjerë, Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta, akuzohen se kanë qenë pjesë e skemës së manipulimit, përmes lëshimit të faturave fiktive ose pjesëmarrjes formale në gara tenderimi, pa kryer realisht shërbime apo punë. Për ta është vendosur masa e sigurimit “ndalim për të dalë jashtë vendit”.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është një nga institucionet më të rëndësishme dhe më të ndjeshme në vend, pasi administron infrastrukturën kryesore të qeverisjes digjitale, përfshirë shërbimet e platformës e-Albania, e cila shërben si kanal kryesor mes qytetarëve dhe institucioneve shtetërore për marrjen e dokumenteve dhe shërbimeve publike.

Sipas SPAK, hetimi ngre dyshime serioze se struktura e AKSHI-t dhe procedurat e saj të prokurimit janë përdorur nga një grup kriminal për të përfituar fonde publike, duke përdorur metoda që përfshijnë presionin dhe dhunën ndaj rivalëve. Krahas dyshimeve për abuzim financiar, çështja ngre shqetësime edhe mbi rrezikimin e sigurisë kombëtare, për shkak të natyrës së sistemeve dhe të dhënave që administron kjo agjenci.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT