AKSHI dhe korporatat shtetërore në lupën e Amerikës, SPAK po përgatitet për goditje në nivele të larta! SHBA do rishikojë koncesionet, resortet në bregdet dhe kullat e Tiranës

Newsbomb.al raportoi ekskluzivisht më herët këtë të premte, për projektligjin amerikan që është dërguar në Kongesin e SHBA, i cili parashikon ndërmarrjen e një nisme të fortë kundër korrupsionit për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.

“Në Shqipëri, rezultati më i mundshëm është një “valë e dytë” sanksionesh që do të mbushë hendekun midis statusit politik “Non Grata” dhe padive penale”, thotë projektligji, duke theksuar se në fokus të sanksioneve do të jenë “krahët financiarë” të politikanëve.

Afati 90-ditor përfundon në mars 2026 dhe me Departamenti Amerikan i Shtetit, pas miratimit nga Kongresi Amerikan, do të synojë veprime që kanë në qendër shënjestrimin e politikanëve dhe çmontimin e rrjeteve financiare që i mbështesin ata.

“Duke emëruar mundësuesit ekonomikë, figurat e biznesit dhe “ndërmjetësit” që lehtësojnë korrupsionin, SHBA-të në fakt po ofrojnë një plan veprimi për SPAK-un për të kaluar nga ngrirja e aseteve në arrestime të nivelit të lartë, duke synuar të “pastrojë” tregun nga konkurrenca e shtrembëruar para zgjedhjeve të vitit 2027″, vijon njoftimi, përcjell newsbomb.al.

Praktikisht, ekonomia shqiptare do të vihet nën lupën e partnerëve amerikanë, të cilët përmes sanksioneve, shpalljeve non-grata dhe asistencës me informacion, do të instruktojnë SPAK për ndërmarrjen e arrestimeve në nivele të larta të politikës dhe biznesit.

Konkretisht, në kuadër të Aktit të Demokracisë dhe Prosperitetit të Ballkanit Perëndimor, do të synohen sektorët ku fluksi i “parave gri” është më i lartë:

1. Infrastruktura Teknologjike dhe Dixhitale: Fokus në kontraktorët e AKSHI-t dhe “taksa e korrupsionit” në shërbimet dixhitale shtetërore.

2. Pasuritë e Paluajtshme dhe Ndërtimi: Shqyrtimi i zhvillimeve luksoze bregdetare dhe projekteve të larta në Tiranë.

3. Energjia dhe Shërbimet: Mbikëqyrja e korporatave shtetërore të energjisë (KESH, OST) dhe koncesioneve të energjisë së rinovueshme.

4. Partneritetet Publiko-Private (PPP): Auditimi i kontratave të menaxhimit të mbetjeve dhe infrastrukturës.

5. Bankat dhe Financat: Monitorimi i bankave lokale për t’u siguruar që ato i ndërpresin lidhjet me “mundësuesit” e sanksionuar rishtazi.

6. Turizmi Strategjik: Rishikimi i projekteve të cilave u është dhënë statusi “strategjik” përmes favorizimit politik.

Projektligji është propozuar më 2 gusht 2022, nga një grup senatorësh amerikanë dypartiak, i quajtur Akti për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit midis Shteteve të Bashkuara dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

© Newsbomb.al

Back to top button
LAJMET E FUNDIT