Ku u ngatërrua zonja Prefekte?

Shkruan Artan Fuga
Nëpër portale ka dy ditë që nxjerrin zonjën Prefekte të Shkodrës që duke dalë besoj nga një ndërtesë kishtare deshi të bënte një urim për Krishtlindjet përpara gazetarëve, duke inskenuar e shoqëruar nga një shpurë njerëzish, nëpunësish, në sfond, a thua se nuk mund të shfaqej vetëm para ekraneve.
Ajo e ngatërroi pak fjalimin që donte të mbante dhe u tha gazetarëve ta fillojmë nga e para…
Nuk ka asnjë të keqe. Cdokush mund të ngatërrohet nga emocionet. Madje mu duk tip i lezetshëm që e ndërpreu, pranoi gabimin, deshi ta bënte më mirë.
Sinqeritet i pashoq që vetëm një njeri i mirë, njjë grua e sinqertë mund ta ketë! I heq kapelën për këtë!
Pooooor, problemi serioz është gjetiu. Jo atje ku u ngatërrua pa dashje, ku secili nga ne mund ta humbasë torruan. Por, atje ku nuk u ngatërrua, ku i duket se e bëri mirë, atje ku e përsëriti dy herë sepse si duket ato koncepte ka.
Zonja prefekte mund të besojë Jezusin, mund të jetë ateiste, laike, deiste, myslimane, evangjeliste, bektashie, dhe çfarë t’i dojë zemra, por kjo është çështje e saj private. Nuk ka lidhje fare me funksionin e saj shtetror. Ku shkruhet se prefekti në Shqipëri ka për detyrë të bëjë deklarata urimesh? Përse e gjen të arsyeshme të ngatërrohet me çështje të besimit të saj apo të kujtdo qoftë?
Mbi të gjitha ajo deklaroi si besimtare se Jezusi ndricoi qiejt, a diçka e tillë, hapi udhën për këtë dhe për atë. Unë jam gati bta besoj se çfarë deklaroi, madje unë kam vlerësimin më të lartë për Birin e Zotit, si edhe për të gjitha hyjnitë, për Zotin, pavarësisht se nga cili besim vjen udha për te ai. Por, një prefekt nuk ka përse njëhsohet me asnjë besim kur deklaron si prefekte. Kjo është gafa e vërtetë e saj, që kujton se është normale, jo lapsusi i pafajshëm dhe i lezetshëm, krejt normal.
Cfardo feje të besojë zonja le ta besojë në shtëpinë e vet? apo kur shkon lutet, nëse është praktikante, por nuk ka përse e deklaron kur prononcohet si prefekte para kamerave. Le t’ua lëjë klerikëve dhe besimtarëve këtë sepse ata dinë ta bëjnë shumë mirë këtë.
Ne jemi republikë laike, pushtetari dhe besimtari në hapësirën publike janë të ndarë nga njeri tjetri. Nuk mund të bashkohen në një sepse ne nuk jemi shtet fetar, as katolik, as islma, as bektashi madje, aq më pak prefektura e Shkodrës nuk ka ndonjë autonomi në këtë drejtim.
Aq më tepër sepse në Shkodër ka komunitet islam, po aq i nderuar sa edhe ai katolik, e besime të tjera, prandaj njëhsimi i pushtetit qendror atje me një besim, ka më pak vend se kudo të bëhet, në një qytet me kulturë madhështore tolerance besimesh.
Pushteti duhet të rrijë mënjanë këtyre besimeve dhe të mos bëjë deklarata emocionale, por të menduara mirë.
Nuk do të merresha me këtë temë nëse nuk do ta dija se prefektja në fakt ka imituar politikanë dhe pushtetarë në nivel kombëtar që duan të akaparojnë veç pushtetit, edhe besimet e kombit duke bërë shpesh dekarata të tilla.
Nuk do të ndalesha nëse nuk do të më dhimbte shumë që aq gazetarë atje nuk doli njëra ose njëri të thoshte : “Cfarë bëhet këtu?”, ose “Unë s’e marr këtë deklaratë!” ose t’i bënte pyetje “Ju zonjë po flisni si besimtare duke u njëhsuar me besimin, apo si përfaqësuese e pushtetit qendror?”
Gazetar nuk është ai që shtrin dorën dhe zgjat mikrofonin duke qendruar si hu gardhi, por ndërhyn, provokon, gërmon, reagon në çast, dialogon, mbron parimet e republikës, dhe nuk lejon kurrë që publikja dhe privatja të bashkohen në një.
Sa për ngatërresën që e këndojnë nëpër portale, ajo nuk është asgjë, ajo është indicie se zonja prefekte është njeri që pranon gabimet, publikisht, dhe nuk e ka për gjë të bëj më të mirën e mundshme. Unë shpresoj se kështu do të reagojë edhe ndaj kritikës sime shoqërore dhe dashamirëse.