“Rrezik për Europën”, Agim Nesho: Rasti i Ergys Agasit i dha të drejtë Arben Ahmetajt! Rama drejtuesi, vartësit ekzekutorë të krimit

Analisti Agim Nesho deklaroi në studion e emisionit “Çim Peka Live” se qeverisja e Edi Ramës e ka kthyer Shqipërinë në një vend të kapur, të zhytur thellë në korrupsion dhe të rrezikshëm për perëndimorët.
Agim Nesho tha se regjimi aktual ka cënuar rëndë besimin e SHBA-së dhe NATO-s, ka minuar demokracinë dhe shtetin ligjor dhe se largimi i Edi Ramës nga pushteti është kushti i vetëm për të shmangur një krizë të thellë politike, institucionale dhe gjeostrategjike për Shqipërinë.
Agim Nesho u shpreh më tej se Edi Rama deri tani mund të justifikohej si i paditur, i painformuar se njerëzit bënin veprime kundër dijenisë së tij, ndërsa shtoi se rasti i Ergys Agasit tregon se kjo është një veprimtari kriminale, një pushtet kriminal, dhe ka të drejtë Ahmetaj kur thotë se kryetari i këtij grupi kriminal është Rama.
“Deri tani, Rama mund të justifikohej si i paditur, si i painformuar, se njerëzit bënin veprime kundër dijenisë së tij. Rasti i Agasit tregon se kjo është një veprimtari kriminale, një pushtet kriminal, dhe ka të drejtë Ahmetaj kur thotë se kryetari i këtij grupi kriminal është Rama.
Dhe tani nuk është vetëm problemi i medias. Ky njeri ka kapur gjithë shtetin shqiptar. Median e ka kapur sepse vetë koncepti i tij për median ka qenë bashkëpunimi, rekrutimi i pronarëve. Shiko çfarë më thonë nga Italia: për një gjë shumë më të vogël se kaq, 20 vjet më parë, në Itali u arrestuan të gjithë drejtuesit e shërbimit inteligjent dhe, si rrjedhojë, u bë reforma e shërbimeve, bashkë me ndryshimin e emrit nga SISMI në AISE.
Ndërkohë që këtu flitet se jo vetëm zyra, por edhe shtëpitë e drejtuesve të shërbimit informativ janë nën kontrollin e Agasit. Çdo institucion aty.”-tha Nesho.