Berisha “merr pushimet” dhe lë për vitin tjetër rrëzimin e Ramës: Ka për të ikur si mi, në 2026 do futemi me një mision

Pas protestës së parë kombëtare, të zhvilluar më 22 dhjetor, Partia Demokratike ka shtyrë për në janar tubimin e rradhës e rrëzimin e Ramës.
Me sa duket festat e fundvitit kanë ndryshuar planet e opozitës, e demokratët kanë “vendosur ta bëjnë pushim” e të rikthehen në Janar, ku edhe premtojnë se kur të kthehet do të jetë çdo natë në shesh.
Këtë e ka bërë të ditur vet kreu i PD Sali Berisha, i cili në një takim me simpatiantët në Manëz të Durrësit u shpreh se Rama mund të largohet vetëm nëpërmjet sheshit.
Ai po ashtu u shpreh se rruga e duhur nuk është dhuna por qëndresa: “Të mos mendojmë se rruga është dhuna, jo. Rruga është qëndresa jonë, sheshet. Sheshi duhet të jetë i yni dhe Edi Rama ikën si mi.”
“Pra, hyjmë në vitin 2026 me një mision, si misionarë, si fatmëdhenj që kemi mundësi të përmbysim një diktaturë të dytë në Shqipëri”, shtoi ai më tej.
Sali Berisha: Tani duhet të betohemi, ditën e caktuar të zëmë sheshin dhe t’i rikthehemi sheshit çdo natë gjersa të përzëmë atë. Të mos mendojmë se rruga është dhuna, jo. Rruga është qëndresa jonë, sheshet. Sheshi duhet të jetë i yni dhe Edi Rama ikën si mi. Nuk mund të qëndrojë aty. Pra, hyjmë në vitin 2026 me një mision, si misionarë, si fatmëdhenj që kemi mundësi të përmbysim një diktaturë të dytë në Shqipëri.
Dhe unë jam i bindur se populli opozitar, populli i Manzës, i Durrësit e i gjithë Shqipërisë, do të jetë në lartësinë e këtij misioni. Lartësinë e shpëtimit të Shqipërisë, të shpëtimit të opozitës, të shpëtimit të kombit shqiptar, që po rrokulliset në mënyrën më të keqe.
Edhe një herë, gëzuar festat dhe lartësinë e misionit tonë.
Janari, nisim betejën tonë gjer në fitore”