QESHARAKE! Prokurorisë iu deshën 5 vite për zgjedhjet e 2021, KQZ verifikon kandidatët me vonesë: Kërkesa ka humbur qëllimin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi këtë të hënë një mbledhje ku dhe shqyrtoi rezultatet e verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm për tre kandidatë për deputet. Një proces, i cili në dukje synon garantimin e integritetit të zgjedhjeve, por që në praktikë ngre një sërë pikëpyetjesh lidhur me funksionimin dhe ritmet e institucioneve.
Kjo pasi dy nga tre kandidatët e verifikuar kanë kandiduar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, ndërsa sot jemi në dhjetor të 2025. Mandatet e tyre kanë përfunduar prej kohësh, por verifikimi i Prokurorit të Përgjithshëm sapo ka mbërritur në KQZ.
Sipas njoftimit zyrtar nga KQZ, bëhet fjalë për:
Lisman Sami Pëllumaj, kandidat për deputet i “Partisë Socialdemokrate”, Qarku Shkodër, për zgjedhjet e 11 majit 2025;
Ferdinant Selam Aligjoni, kandidat i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Qarku Vlorë, për zgjedhjet e 25 prillit 2021;
Halim Ismail Dauti, kandidat i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Qarku Kukës, për zgjedhjet e 25 prillit 2021.
KQZ konstatoi se për kandidatin e vetëm aktual, Lisman Pëllumaj, nuk ekzistojnë kushte ndaluese për ushtrimin e funksionit të deputetit.
Ndërsa për dy kandidatët e vitit 2021, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve u detyrua të mbyllë procedurën administrative pa vendim përfundimtar, duke konstatuar se objekti dhe qëllimi i saj kanë humbur. Pra, me fjalë më të thjeshta, verifikimi erdhi aq vonë, sa nuk kishte më asgjë për të verifikuar.
Në thelb, Prokurorit të Përgjithshëm i janë dashur rreth pesë vite për të sjellë shkresat në KQZ, për kandidatë që nuk janë më në garë dhe që u ka mbaruar mandati politik. Pavarësisht kësaj, KQZ ishte e detyruar të mblidhej, të shqyrtonte dokumentacionin dhe të shpallte zyrtarisht një fakt të thjeshtë: kërkesa ka humbur kuptimin.
“Ndërkohë deklaroi procedurën administrative si të përfunduar dhe pa vendim përfundimtar për z. Ferdinant Aligjoni dhe për z. Halim Dauti, pasi vlerësohet se ka humbur objekti dhe qëllimi i procedurës administrative të filluar para datës së zgjedhjeve”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e KQZ.
Ndërkohë që në të njëjtën mbledhje KQZ plotësoi edhe vakancën në Këshillin Bashkiak Shkodër, duke mandatuar kandidaten nga lista shumemërore e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Daniela Jakoja.