Atentati i përgjakshëm në Rinas ende i mbuluar nga misteri, DETAJET: Si ambulanca u shpëtoi “kokën” autorëve

Kanë kaluar më shumë se një muaj e gjysmë nga atentati i bujshëm i ndodhur në rrethrrotullimin e Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe disa ditë më pas humbi jetën edhe miku i tij, Muçi Shaljani.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se nga këqyrja e kamerave të sigurisë është konstatuar se autorët, pasi qëlluan me breshëri automjetin ku udhëtonin Dani dhe Shaljani dhe më pas dogjën mjetin tip “Toyota” të përdorur në atentat, janë larguar nga zona duke përdorur një mjet të kamufluar si ambulancë.

Sipas hetuesve, ambulanca dyshohet se ka qëndruar në afërsi të rrethit të Rinasit në momentin e atentatit dhe është vënë në lëvizje vetëm pasi autorët u siguruan se vrasja ishte kryer. Më pas, mjeti është larguar në drejtim të fshatit Halil.

Autorët, pas ngjarjes, dogjën automjetin “Toyota” në një zonë të pyllëzuar dhe kodrinore të fshatit Halil, aty ku dyshohet se i priste edhe ambulanca e kamufluar, e cila shërbeu për t’u larguar në drejtim ende të panjohur.

Ngjarja kriminale ndodhi mesditën e 11 nëntorit. Dani dhe Shaljani sapo ishin kthyer nga një udhëtim katërditor në Barcelonë dhe pak minuta para atentatit, kishin marrë automjetin e parkuar në ambientet e Aeroportit të Rinasit, duke u nisur drejt Tiranës. Në momentin që “Mercedes”-i mbërriti në rrethrrotullimin e aeroportit, u vu në shënjestër të sulmit.

Autorët raportohet se lëviznin me një automjet me targa greke dhe hapën zjarr me kallashnikov nga ana e djathtë e mjetit, aty ku ndodhej Gilmando Dani, në vendin e parë të pasagjerit. Plumbat përshkuan edhe pjesën tjetër të automjetit, duke plagosur rëndë drejtuesin, Muçi Shaljani.

Si pasojë e breshërisë së plumbave, Gilmando Dani humbi jetën në vendngjarje, ndërsa Shaljani, i plagosur rëndë, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë disa ditë më vonë në Spitalin e Traumës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT