Plan “anti-Albin” i Edi Ramës për zgjedhjet në Kosovë?! Kryeministri Kurti u përgjigjet aludimeve:…

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë deklaratës së tij për mediat ku shpalli fitoren shënuar nga partia e tij në zgjedhjet e 28 dhjetorit, u ndal edhe te marrëdhëniet me Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama.
Pas pyetjes së një gazetari lidhur me zërat për një “ftohje” të raporteve mes dy liderëve, Kurti hodhi poshtë pretendimet se kryeministri i Shqipërisë kishte ndërmarrë veprime për të ndikuar negativisht në rezultatin zgjedhor në Kosovë. Ai theksoi se nuk ka dijeni për akuza të tilla dhe se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë vijon normalisht, pavarësisht qeverive në pushtet.
Sipas Kurtit, marrëdhëniet institucionale mes dy vendeve janë të konsoliduara dhe të bazuara në një bashkëpunim konkret, të ndërtuar mbi dhjetëra marrëveshje ndërqeveritare.
“Ne bashkëpunojmë me Republikën e Shqipërisë, me cilëndo qeveri që është aty, kemi 58 marrëveshje me Kryeministrin Rama. Unë nuk jam në dijeni të atyre akuzave që thatë ju, por jemi të interesuar që afrimi me Shqipërinë të rritet gjithnjë e më shumë. Kemi abetaren e unifikuar nga viti 2021 e këtej, kemi kurrikulat e unifikuara për bashkatdhetarët tanë në botë dhe e kemi Shqipërinë partnerin kryesor tregtar në rajon”, u shpreh Kurti.
Gazetari: Kryeministri Edi Rama, le të themi ka bërë gjithçka mbi tavolinë dhe nën tavolinë që qytetarët e Kosovës të mos t’iu votonin. Ju do ta vijoni traditën e takimit të parë në Shqipëri pas fitores dhe keni diçka për t’i thënë Edi Ramës?
Albin Kurti: Ne bashkëpunojmë me Republikën e Shqipërisë, me cilëndo qeveri që është aty, kemi 58 marrëveshje me Kryeministrin Rama. Unë nuk jam në dijeni të atyre akuzave që thatë ju, por jemi të interesuar që afrimi me Shqipërinë të rritet gjithnjë e më shumë. Kemi abetaren e unifikuar nga viti 2021 e këtej, kemi kurrikulat e unifikuara për bashkatdhetarët tanë në botë dhe e kemi Shqipërinë partnerin kryesor tregtar në rajon.