Kryeministri nuk i trembet as SPAK dhe as opozitës! Edi Rama i qartë: Janë njerëz që nuk dinë të bëjnë punën e tyre, neveri e madhe; PD le të rri nën penxheren time, i kemi ndarë punët

Kryeministri Edi Rama ka thënë se mazhoranca socialiste nuk i trembet as punës së Prokurorisë së Posaçme – pavarësisht se në opinion ka një perceptim sikur ajo është opozita e vërtetë -, dhe as paralajmërimit të opozitës për protesta të përditshme nën zyrën e tij.

Në konferencën e fundvitit me gazetarët, kreu i qeverisë theksoi se SPAK nuk është opozita e qeverisë së tij, por një institucion i krijuar falë vullnetit të forcës qeverisëse që ai drejton.

Duke ju referuar rrjedhjes së materialeve hetimore nga Prokuroria e Posaçme, të cilave Edi Rama i cilësoi si gjysmë të vërteta, shtoi se prokurorët janë njerëz që nuk dinë të bëjnë punën e tyre.

“Askush nuk përpiqet të bëjë një analizë në punën e SPAK, sepse ndryshe nga sa thuhet, SPAK nuk është opozita e qeverisë, dhe cilat janë anët pozitive dhe negative të punës së SPAK. Askush nuk e bën këtë dhe ndaj kemi një çoroditje të opinionit publik”, theksoi ai.

I pyetur për paralajmërimin e opozitës për protesta të përditshme nën zyrën e tij nga janari, kryeministri shtoi se mazhoranca dhe opozita i kanë ndarë punën vite më parë; ai në zyrë dhe ata nën penxheren e tij.

Pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama:

Spaku nuk është opozita e qeverisë, është një institucion i ri i krijuar falë vullnetit falë vullnetit të kësaj force qeverisëse. I garantuar nga kjo forcë qeverisëse, në sensin që të tjerët janë betuar që do ta shkrinin, por nuk e kanë bërë dot se votat i kemi ne.

Po ngrihen gjysmë të vërteta për të krijuar një tym të jashtëzakonshëm që djeg sytë e publikut dhe shurdhon publikun me presionin e vet dhe që dezinformon publikun thellësisht. Prandaj thonë që gjysmë e vërteta është gënjeshtra më e madhe.

Është një neveri e madhe që ka një aktivitet kaq intensiv gjysmë të vërtetash nga njerëz që nuk dinë të bëjnë punën e tyre. Nuk dinë të bëjnë opozitën e qeverisë, nuk dinë ta mundin Partinë Socialiste. Kështu e shoh unë këtë gjë.

Askush nuk përpiqet të bëjë një analizë në punën e SPAK, sepse ndryshe nga sa thuhet, SPAK nuk është opozita e qeverisë, dhe cilat janë anët pozitive dhe negative të punës së SPAK. Askush nuk e bën këtë dhe ndaj kemi një çoroditje të opinionit publik.

Përsa i përket protestave që do bëhen poshtë penxheres këtu, i kemi ndarë punët prej shumë vitesh me sa kuptoj unë. Unë në zyrë dhe PS në qeveri dhe të tjerët poshtë penxheres time në rrugë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT