“Kujt ju ul në gjunjë në 2 mars në Bulevard?!”, demokrati shpërthen ndaj Ilir Metës: Besoja se e kishte kaluar të shkuarën me histori konjukturash e pazaresh

Presidenti Ilir Meta dekretoi sot ndryshimet në Kodin Penal të cilat u miratuan nga Kuvendi në kuadër të luftës kundër koronavirusit. Menjëherë pasi Meta bëri zyrtar dekretimin ka ardhur edhe reagimi i parë nga demokratët.

Ish-kreu i PD, në Gjirokastër, Roland Bejko nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale shpreh zhgënjimin e tij të madh ndaj Presidentit dhe e pyet Metën se kujt iu ul në 2 mars në gjunjë në mes të Bulevardit.

“Në fakt unë kam pasur gjithmonë një vlerësim të lartë për zotin Meta në mënyrë konsistente për faktin se iu imponua politikës si lider duke pasur një origjinë familjare të pa lidhur me bllokun komunist, pra me kupolën.

Por me kalimin e viteve, për kohën e gjatë në politikë si Kryeministër, Kryetar Kuvendi dhe tani si President është jo vetëm pjesë e establishëmentit që ka përgjegjësi për gjendjen ku është katandisur demokracis shqiptare sot.

Ti bie shkurt. Si qytetar, me skepticizëm, por e përkraha kauzën që shpalli së fundmi për mbrojtjen e kushtetutës që po përdhosej rregullisht nga Kryeministri i vendit, Edi Rama.

Dyshoja se do ishte vërtet siç e deklaronte, megjithëse besoja se kushdo ka të drejtë ta kapërcejë të shkuarën e tij me histori konjukturash e pazaresh në dëm të parimeve dhe shpesh edhe të ligjeve.

Por, fakti që sot Presidenti dekretoi ndryshimet e Kodit Penal që cënojnë demokracinë, liritë dhe të drejtat e njeriut duke i dhënë legjitimitet sundimit të Edi Ramës, si dhe justifikoi tërheqjen e Shqipërisë nga dy nene të Kartës Evropiane të të Drejtave të Njeriut me pretekstin e situatës së jashëzakonshme të Pandemisë, më lind pyetja:

Për çfarë dhe kujt ju ul në gjunjë në 2 mars në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, Presidenti i vendit tim?!”, shkruan Bejko.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT