Paqja që harroi inatet politike mes Ramës dhe Metës
Nga Gazeta SHQIP

“Presidenti është bërë njësh me popullin, jo me opozitën.” Kjo do të ishte deklarata befasuese e kryeministrit Edi Rama ndaj Ilir Metës, presidentit që deri dje akuzohej nga mazhoranca për shkelje të Kushtetutës dhe që përbetohej se do ta rrëzonin nga poltroni i kryetarit të shtetit.
Situata e pandemisë së shkaktuar nga Koronavirusi ka ndikuar në uljen e armëve mes presidencës dhe mazhorancës. Prej ditësh Kryeminstria dhe Parlamenti nga njëra anë dhe presidenti në anën tjetër kanë ulur tonet dhe akuzat e ndërsjellta. Në disa dalje publike, Rama nuk ka ngurruar që ta falënderojë publikisht Metën për qëndrimet që po mban në lidhje me situatën, duke nënkuptuar kështu se nuk po bëhet pengesë për nismat, apo masat e qeverisë për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Presidenti Meta u shpreh i rezervuar edhe për faktin se ushtria po përdoret për menaxhimin, e kësaj situate, si dhe shmangu me lezet pyetjes së gazetarëve se cila do të ishte nota që do t’i jepet Ramës për masat e marra, duke deklaruar “nuk ka ardhur akoma qershori, koha e provimeve”.
E gjithë kjo “shkrirje akujsh” ka ndikuar edhe në zhvillimin e dy mbledhjeve të Këshilli të Sigurisë, madje “duke ulur në tavolinë” dhe kryetarin e PD-së, Lulzim Basha. “Sa më shumë transparencë, aq më shumë konsensus, aq më shumë mirëkuptim”, ishte mesazhi i Metës në adresë të mazhorancës dhe qeverisë së kryeministrit Rama.
Këto mesazhet ndërmjet tyre kanë rikthyer dashurinë mes Ramës dhe Metës, duke lënë menjëanë inatet politike dhe duke u përpjekur që në këtë kohë pandemie të bashkëpunojnë në dobi të masa lehtësuese ndaj popullatës. I tillë ishte edhe pranimi i mazhorancës të amendamenteve të presidentit Meta për ndryshimin e Kodit Penal, ku socialistët u tërhoqën nga ndëshkimi me 15 vite burg, e kjo pas negociatave apo konsultave që presidenti dhe kryeministri kanë pasur.