ISHP: Duhet të lani duart çdo herë që prekni paratë!

Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta mbi kohëzgjatjen e qëndrimit të virusit nëpër sipërfaqe, apo objekte të ndryshme, ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik theksojnë se në asnjë rast nuk duhet të neglizhohet larja e duarve pas prekjes së tyre.

Një ndër shqetësimet e shpeshta të shfaqura tek ekspertët është edhe pyetja se a ndodh transmetimi i virusit nëpërmjet prekjes së parave kartëmonedha dhe monedha? Lidhur me këtë shqetësim, specialistët e ISHP-së sqarojnë se nga të dhënat e raportuara deri më tani nuk ka ende evidenca që pohojnë apo mohojnë mundësinë e transmetimit të virusit të Covid-19 nëpërmjet monedhave dhe kartëmonedhave.

Megjithatë edhe në rastet e përdorimit të parave, të çdo forme, ju duhet të bëni shumë kujdes. Kjo pasi ekziston mundësia e rënies së spërklave të një personi të infektuar, të cilat mund të rezistojnë dhe të kontaminojnë kartëmonedhat ose monedhat për një kohë të caktuar. Ndaj rekomandohet që të lani rregullisht duart pasi prekni çdo sipërfaqe apo objekt, duke përfshirë këtu edhe monedhat dhe kartëmonedhat, të cilat përdoren pasivisht gjatë përditshmërisë tonë.

Po ashtu duhet të bëni kujdes që gjatë kohës që keni prekur monedhat apo kartëmonedhat dhe nuk keni mundësi që të lani duart në moment, duhet të shmangni në çdo rast prekjen e fytyrës, hundës dhe gojës me duar.

Informacionet e deritanishme tregojnë që virusi mund të mbijetojë nga disa orë, e deri në disa ditë në sipërfaqe dhe objekte të caktuara, edhe pse kjo gjë është ende në studim nga grupet e ekspertëve të shëndetit publik. Përdorimi i dezinfektuesve të thjeshtë është në gjendje të vrasë virusin duke frenuar aftësinë e tij për të infektuar njerëzit, për shembull dezinfektuesit që përmbajnë 75 për qind alkool (etanol) ose 1 për qind me bazë klori (zbardhues).

Back to top button
LAJMET E FUNDIT